Çka ndodh tash pas shpalljes së gjendjes emergjente në Kosovë?

  • G.G /
  • 29 December 2021 - 13:32
Çka ndodh tash pas shpalljes së gjendjes emergjente në Kosovë?

Janë votuar në Kuvendin e Kosovës masat emergjente të Qeverisë për situatën me furnizim me energjinë elektrike.

Me 57 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deputetët kanë miratuar  vendimin e ekzekutivit për masat e emergjencës gjatë furnizimit me energji elektrike i marrë në mbledhjen e Qeverisë të premten më 24 dhjetor.

Sipas dokumentit të publikuar ditë më parë masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Qeveria poashtu përmes këtij vendimi ka vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së Ekonomisë.

E ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë,  një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

 

Ky Komitet në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2017 mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente, identifikon dhe rekomandon zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara, duke përfshirë: vendosjen e kufizimeve mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë; vendosjen e kushteve të veçanta komerciale;  kufizimi i tregtimit të energjisë ose vendosjen e kushteve të veçanta për tregtimin e energjisë; te detyrojë prodhimin e energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit; dhe të vendosë detyrime për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar.

Në arsyetimin e Qeverisë për këtë vendim thuhet se Kosova aktualisht është duke u përballur me vështirësi në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas tyre kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike dhe pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin.

Faktor tjetër që është përmendur në arsyetimin e Qeverisë është edhe rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Më tutje në vendim thuhet se Qeveria mund të fillojë së zbatuari masat menjëherë që në datën e aprovimit, por se i njëjti vendimit duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi sipas vendimit ka të drejtën e refuzimit, me ç’rast Qeveria i ndërpret masat e aprovuara dhe nuk vazhdon me gjendjen e emergjencës.

Vendimi ka dalë nga mbledhja e 51-të e Qeverisë Kurti.

(Kosova Sot Online)