Lexoni edhe:
Shpallet gjendje emergjente e energjisë
Sinjali për një krize energjetike që do të përfshinte rajonin kishte ardhur qysh në fund të verës. Si rezultat, Edi Rama, kishte shpallur gjendjen emergjente të energjisë qysh në fillim të muajit tetor, Vuçiq deklaronte se s’po e zë gjumi si rezultat i krizës energjetike, derisa Maqedonia e Veriut në fillim të muajit nëntor po ashtu kishte shpallur gjendje krize të furnizimit me energji elektrike.
Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, kishte deklaruar se vendimi për shpalljen e gjendjes emergjente i hap rrugë ekzekutivit për ndërhyrje me qëllim të përballimit më të lehtë me krizën energjetike.
Shpallet gjendje emergjente e energjisëLexoni edhe:
“Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë, qoftë me instrumenta financiarë, qoftë edhe me instrumenta të natyrës administrative. Kështu që sot, me këtë vendim, i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm, për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëj publik nesër”, kishte deklaruar kryeministri Edi Rama.
Edhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, kishte deklaruar se gjendja emergjente është shpallur për të përmirësuar funksionimin e kompanive energjetike atje.
“Qeveria aktualisht është e fokusuar në përballjen me sukses të sfidave të paraqitura nga kriza globale energjetike. Gjendja e krizës energjetike sillet për të përmirësuar funksionimin e kompanive energjetike, për të rritur likuiditetin e tyre dhe për të mos miratuar asnjëherë masa kufizuese që do të ndikonin negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, kishte deklaruar ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.
Derisa vendet e rajonit kishin shpallur gjendjen e emergjencës, nga Qeveria e Kosovës nuk ishte marrë asnjë vendim që do të kishte për synim parandalimin e krizës në të cilën gjendet sot vendi.
Vendimi për shpalljen e gjendjes emergjente është marrë tek sot më 29 dhjetor, pasi Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë të datës 24 dhjetor për gjendje emergjente që do të zgjasë 60 ditë.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme të furnizimit me energji ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të rrymës në treg dhe rritjes së madhe të konsumit gjatë sezonit të dimrit.
Ngarkesa e madhe ka shkaktuar telashe të mëdha edhe në rrjet, derisa pas rënies së Bllokut B në vend janë rikthyer edhe reduktimet e energjisë elektrike, që nga KEDS ishte thënë se do të zgjasin vetëm dy orë, derisa në shumë vende reduktimet kanë zgjatur shumë më shumë.
Kriza që ka kapluar Kosovën dhe rikthimi i reduktimeve pas më shumë se një dekade, ka bërë që vendi të bëhet lajm edhe në mediat më të mëdha të botës, derisa përpara Qeverisë është organizuar edhe protestë ku kërkohej shkarkimi i ministres Rizvanolli.
Me qëllim të lehtësimit të krizës, Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe 20 milionë euro për kompaninë KEDS, meqë këta të fundit kishin prekur fundin sa i përket gjendjes financiare si rezultat i importit të rrymës me çmim shumë të lartë dhe shitjes në Kosovë me çmim shumë më të ulët.
Kryeministri Kurti kur është pyetur për krizën në të cilën është futur vendi sa i përket furnizimit me energji elektrike është arsyetuar duke thënë se Kosova s’mund ta blinte më herët rrymën meqë sipas kryeministrit Kurti “rryma s’mund të ruhet në frigorifer”.
Lidhur me vonësen e Qeverisë së Kosovës në ndërmarrjen e masave ka pasur reagime të shumta edhe nga opozita por edhe nga shoqëria civile.
(Kosova Sot Online)