Zemaj për shkuarjen e ministrit Latifi në ShBA: Nuk është koha e pushimeve
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur për udhëtimin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi në shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se ministri ditë më parë u ka konfirmuar në Komision se është zhvendosur në Kosovë.
Zemaj deklaroi se Qeveria nuk po e ka prioritet menaxhimin e pandemisë.
“Ai në Komision na tha që është vendosur në Kosovë me gjithë qenien por kjo nuk po del të jetë e vërtetë edhe me logjikën çfarë ka përdorur Qeveria e Kosovës këtë vit një lloj të kësaj pasqyre e kemi pasur edhe gjatë verës kur nuk ka pasur një prioritetiozim të menaxhimit të pandemisë dhe të aspekteve të tjera shëndetësore”, ka thënë ai.
Zemaj ka thënë se në këtë gjendje emergjente me Covid-19, pushimet nuk janë opsion.
“Titullari nëse mundon, kjo është sikur shtëpia që nuk udhëhiqet nga i zoti i shtëpisë. Kur mungon titullari krejt mekanizimet e tjerë nënkuptohet neglizhencë në veprime. Nuk është kohë e pushimeve, është kohë emergjente”, ka thënë ai.
Ish-ministri deklaroi se Kosova rrezikohet nga përhapja e shpejtë e rasteve të reja me Covid-19 dhe nga varianti i ri Omicron.
“Kosova ende e ka në fuqi masën emergjente me Covid-19. Po kërcënohemi nga virusi i ri, nga shpërbërja e shpejtë Omicron-it në Kosovë dhe në rajon. Mund të ketë rritje të numrit të infeksionit. Kur rriten numrat rriten edhe shifrat e vdekjes”, tha ai.
(Kosova Sot Online)