Babai nga Gjakova e raporton dhëndrin në polici, deklaron se po ushtronte dhunë ndaj vajzës së tij

  • E /
  • 03 January 2022 - 18:52
 Babai nga Gjakova e raporton dhëndrin në polici, deklaron se po ushtronte dhunë ndaj vajzës së tij

Mbrëmë rreth orës 20:30 në Gjakovë, një baba kishte raportuar në polici se i dyshuari dhëndri i tij po ushtronte dhunë ndaj vajzës.

Pas këtij informacioni policia ka shkuar te banesa ku ishin i dyshuari dhe viktima (çifti bashkëshortor), por policia njofton se i dyshuari nuk e ka hapur derën e banesës.

“Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe Njësia për Reagim të Shpejtë dhe Prokurorja kujdestare, ku kanë kërkuar nga i dyshuari të hap derën por i njëjti ka refuzuar. Nga dyshimi që i dyshuari mund të bëjë më të keqen, me urdhër të Prokurores është hapur dera me forcë. I dyshuari është arrestuar dhe sjellë në stacion. Viktima me katër fëmijët është shoqëruar për intervistim”, njofton policia.

Sipas policisë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor edhe pse nuk ka pas lëndime trupore.

“Nga viktima është mësuar se i dyshuari i kishte shkaktuar dhunë psikike. Viktimës i është ofruar mbrojtje dhe strehim. Viktima ka refuzuar mbrojtjen dhe strehimin dhe e njëjta ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj, pasi që ndjehet e sigurtë”, vijon policia.

I dyshuari, me urdhër të Prokurores, është dërguar në ndalim policor prej 48 orësh.

(Kosova Sot Online)