Presidenti i Brazilit përfundon në spital, e tregon vetë problemin

  • E. /
  • 04 January 2022 - 09:19
Presidenti i Brazilit përfundon në spital, e tregon vetë problemin

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është hospitalizuar për shkak të një bllokimi intestineal. Problemi iu paraqit gjatë pushimit të dielën.

Bolsonaro publikoi një fotografi nga shtrati i spitalit në Twitter, duke thënë se mjekët i kanë vendosur një gyp nasogastrik dhe janë duke e vlerësuar mundësinë për operacion. Mjekët thanë të hënën se gjendja e tij është duke u përmirësuar.

Presidenti 66-vjeçar është dërguar në spital disa herë që nga therja me thikë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2018, shkruan BBC.

Në postimin e tij, Bolsonaro tha se filloi të mos ndihej mirë të dielën pas dite, pas drekës. Ai u dërgua urgjentisht në një spital në Sao Paulo nga rajoni jugor, Santa Catarian, ku ishte duke i kaluar pushimet.

Bolsonaro tha se simptomat i kishte të njëjta si  gjatë shtrirjes katërditore në spital në korrik, duke thënë se therja është shkaktari themelor i problemeve shëndetësore të tij. Ai ishte plagosur seriozisht në sulmin me thikë dhe nga ajo kohë u është nënshtruar të paktën katër operacioneve.

(Kosova Sot Online)