Omicron anulon festimet e karnavaleve në Brazil

  • A.P /
  • 05 January 2022 - 21:51
Omicron anulon festimet e karnavaleve në Brazil

Autoritetet në Rio de Janeiro kanë njoftuar se festimet e karnavaleve në vend nuk do të mbahen për shkak të variantin Omicron. Pandemia e Covid-19 ka anuluar festimet në rrugë për të dytin vit radhazi në Brazil teksa këtë vit karnavalet ishin planifikuar të mbaheshin nga data 25 Shkurt deri më 1 Mars .

Sipas agjencive turistike përgjatë vitit 2020 u mblodhën rreth 7 milionë njerëz për të festuar në paradat e rrugëve.

Kryebashkiaku i Rios, Eduardo Paes u shpreh se është e pamundur të kryhen kontrolle mbi masat në karnavalet e rrugës për shkak të natyrës së festimeve dhe aspektit demokratik në të cilat ato mbahen.

Por megjithatë parada spektakolare e shkollave Samba në Rio do të mbahet  dhe publiku do të mund ta shoh nga Tribuna në Sambadrome.

Në tribunën që mban rreth 70 mijë vizitorë autoritetet do të kenë mundësinë për të kryer kontrolle mbi dëshmitë e vaksinimit, testit negativ dhe mbajtjes së maskave.

Brazili është vendi i dytë në botë që ka shënuar vdekjet më të larta nga pandemia e Covid-19 dhe shifrat e infektimeve atje kanë pësuar rritje.


(Kosova Sot Online)