Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk ka gjasa ta detyrojë NATO-n të tërhiqet
Ndërsa Lufta e Ftohtë përfundoj tre dekada më parë, Perëndimi ka qenë kryesisht i kujdesshëm në vendimet e tij. Megjithatë NATO u forcua, në 30 vite, aleanca është zgjeruar më shumë se 1000 km në lindje të ish vijës së frontit që ndan sot Gjermaninë. Një bllok që dikur ndante vetëm një kufi të hollë me Rusinë, në skajet veriore të Norvegjisë, tani përfshin shtetet baltike, ish territoret sovjetike brenda 200 km nga Shën Petersburg dhe 600 km nga Moska.
Shtatë nga tetë ish-anëtarët e Paktit të Varshavës, janë bërë pjesë e NATO-s. Në një samit në Bukuresht në vitin 2008, Amerika e bindi pjesën tjetër të NATO-s të deklaronte se Ukraina dhe Gjeorgjia “do të bëhen” anëtarë – një premtim i përsëritur muajin e kaluar.
Për Vladimir Putin, presidentin e Rusisë, kjo ishte edhe një poshtërim dhe një shkelje.
Pyetja ishte retorike. Putin ka kaluar pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke mobilizuar trupa ushtarakë pranë kufirit me Ukrainën. Forca prej ndoshta 100,000 trupash mund të jetë grumbullimi më i madh ushtarak në Europë që nga Lufta e Ftohtë, raporton abcnews.al
Ai madje paraqiti kërkesat më 17 dhjetor për “garanci ligjore” të sigurisë së Rusisë, në formën e projekt-traktateve me Amerikën dhe NATO-n. Në praktikë, Putin po bënte thirrje si për një tërheqje masive nga ana e NATO-s, ashtu edhe për krijimin e një sfere gjysmë formale të ndikimit rus në Europën Lindore, Kaukaz dhe Azinë Qendrore. Pakti me NATO-n do t’i kërkonte aleancës jo vetëm që të përjashtonte zgjerimin e mëtejshëm, por gjithashtu të heqë dorë nga bashkëpunimi ushtarak i çdo lloji me Ukrainën dhe me vendet e tjera jo-anëtare në sferën ish-sovjetike.
Rusia nuk do të jetë e detyruar nga asnjë masë reciproke. As NATO-s nuk do të lejohej të vendoste trupa ose armë në tokën e anëtarëve të saj në Europën Lindore, një kusht që do të përfshinte çmontimin e forcave të vogla të NATO-s të dislokuara në Poloni dhe shtetet baltike pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe aneksimit të Krimesë në 2014. Marrëveshja me Amerikën do të sillte tërheqjen e armëve bërthamore amerikane nga Europa, pa asnjë kufizim për arsenalin e konsiderueshëm të armëve bërthamore të Rusisë.
Edhe shumë vëzhgues rusë u mahnitën nga guximi i këtyre kërkesave.
“Nëse nuk ka përgjigje konstruktive brenda një kohe të arsyeshme”, paralajmëroi Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, më 31 dhjetor, “atëherë Rusia do të detyrohet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar kërcënimet e papranueshme për sigurinë tonë”.
Një interpretim është se Putin po mbështetet te Perëndimi për të hedhur poshtë kërkesat e tij maksimaliste, duke i dhënë Putin një pretekst për të pushtuar Ukrainën. Gjatë viteve të fundit, Putin dhe ministrat e tij kanë bërë akuza të turpshme dhe qesharake, duke filluar nga sugjerimi se Ukraina po kryen gjenocid mbi rusët etnikë deri te ideja se mercenarët amerikanë po përgatisin një sulm me armë kimike në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, e kontrolluar nga përfaqësuesit rusë.
Megjithëse zyrtarët europianë dhe amerikanë thonë se Rusia nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për të pushtuar Ukrainën, ajo ndoshta do të duhet të vendosë nëse do të nisë një operacion deri në fund të dimrit, sipas Michael Kofman. Toka e ngrirë e Ukrainës do të fillojë të shkrihet në mars, duke e bërë më të vështirë përparimin e tankeve. Në prill, rekrutët e Rusisë do të zëvendësohen me një grup të ri pa përvojë.
Megjithatë, ndoshta për të shmangur mundësinë e Putin të pretendojë se i ka mbaruar rruga diplomatike, Amerika ka pranuar të bisedojë. Një telefonatë midis Joe Biden, presidentit të Amerikës, dhe Putin më 30 dhjetor ishte “e sinqertë, kuptimplotë dhe mjaft konstruktive”, vuri në dukje Yury Ushakov, një ndihmës i Putin.
“Është e rëndësishme që pala amerikane ka treguar gatishmërinë e saj për të kuptuar logjikën dhe thelbin e shqetësimeve ruse”, shtoi ai. Diplomatët nga të dy vendet do të takohen në Gjenevë në 10 janar.
Dy ditë më vonë, Këshilli Nato-Rusi do të takohet në Bruksel për herë të parë pas vitesh, dhe më 13 janar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), një grup që përfshin Rusinë dhe të gjitha vendet e NATO-s, do të mblidhet në Vjenë. Stuhia e diplomacisë plotësoi dëshirën e Putin për bisedime dhe për një shans për të shprehur ankesat e tij. Megjithatë, vetëm bisedat nuk mund të shuajnë etjen e Putinit për tu shfajësuar.
Më 27 dhjetor, Lavrov paralajmëroi kundër “diskutimeve të pafundme, gjë që Perëndimi di ta bëjë dhe është i njohur për diçka të tillë”. Putin kërkon ta paraqesë si një fitore diplomatike.
Nuk dihet se çfarë mund të jetë, por Putin dhe z Biden “po sinjalizojnë gatishmërinë për të kapërcyer pengesat konvencionale të diplomacisë për sigurinë europiane”, sugjeron Matthew Rojansky nga Instituti Kennan në Uashington.
(Kosova Sot Online)