31 personave u heqet patentë shoferi në Ferizaj, mbi 600 persona gjobiten për tejkalim të shpejtësisë
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka bërë të ditur se nga 3 janari deri më 9 janar, kanë shqiptuar 617 gjoba për mosrespektim të shpejtësisë së kufizuar në komunikacion, 20 për tejkalim në vijë të plotë apo vend të ndaluar, 16 për drejtim të mjetit pa patentë shofer, 16 për kalim të afatit për regjistrim, 22 për xhama të errët dhe vendosje të folisë, 163 për mospërdorim të rripit të sigurisë, 83 për përdorim të telefonit gjatë vozitjes dhe 658 për kundërvajtje tjera. Policia në Ferizaj po ashtu ua ka hequr patentë shoferin 31 personave.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka vazhduar me aksionet në identifikim të kundërvajtësve të ndryshëm me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor.
Sipas Policisë në Ferizaj, patrullat e policisë me automjete dhe rroba civile në lëvizje, nëpër lokacione të ndryshme, në rrugë lokale dhe magjistrale identifikojnë drejtuesit të cilët shkaktojnë kundërvajtje të ndryshme në komunikacion, të njëjtit ndalohen dhe u shqiptohen gjoba kundërvajtëse, sipas ligjit të komunikacionit rrugor.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me aktivitete të shtuara edhe ne ditët në vijim, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelon tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor. Njëkohësisht policia fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet nga policia në Ferizaj.
(Kosova Sot Online)