Me vendim të Qeverisë, pensionistët nuk do t’i marrin më pensionet më datën 24

  • E. /
  • 12 January 2022 - 11:47
Me vendim të Qeverisë, pensionistët nuk do t’i marrin më pensionet më datën 24

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deklaroi se krahas rritjes së pensioneve në 100 euro, ato nuk do të jepen më në javën e fundit të muajit.

Murati në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se ka ndryshuar edhe data e dhënies së pensioneve.

“Ia vlen për t’u theksuar po ashtu edhe një fakt tjetër. Ne si Ministri e Financave, po ashtu edhe si Qeveri, çdoherë duke pasur parasysh nevojat e amvisërive dhe familjeve tona, do të synojmë që afatet kohore t’i zhvendosim”, tha Murati.

“Marrë parasysh që pagat çdoherë në fund të muajit dhe pothuajse secila familje mund të ketë edhe një pensionist brenda bashkësisë familjare, e kemi parë të nevojshme ta ndryshojmë afatin kohor se kur paguhen pensionet. Ka qenë java e fundit e muajit, zakonisht data 24-25. Tani e tutje synimi ynë do të jetë që pensionet të paguhen në mes të muajit. Pra, duke filluar nga ky muaj”, theksoi ministri.

Për këtë ai njoftoi edhe në Facebook.

“Po ashtu, nga ky muaj e tutje, data e pagesës së pensioneve do të zhvendoset në mes të muajit, ashtu që familjet që pranojnë pension, ta kenë më të lehtë menaxhimin e likuiditetit familjar”, shkroi Murati.

(Kosova Sot Online)