Refuzimi që dekurajon viktimat e dhunës seksuale të luftës
Flora, njëzet vjet pas luftës në Kosovë, është bindur të aplikojë për sigurimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës.
Megjithatë, dokumentet dhe dëshmitë e paraqitura para një komisioni qeveritar nuk e kanë bindur atë për dhunën që Flora thotë se ka përjetuar në vitin 1999.
Ajo thotë se gjatë luftës, në prani të nënës dhe motrës së saj, është përdhunuar nga forcat e policisë serbe.
“Kam aplikuar [për statusin e viktimës së dhunës seksuale] në vitin 2019. Vendimi më është kthyer negativ. Pas një viti kam ardhur dhe kam bërë ankesë, prapë ma kanë kthyer negativ. Kam shkuar dhe jam paraqitur fizikisht [para komisionit]. Kanë qenë tri gra dhe një burrë dhe kam treguar për përjetimet e dhunës që kam pasur”, thotë Flora për Radion Evropa e Lirë.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës do t’i siguronte asaj një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime të tjera, si: shërbime shëndetësore falas dhe përparësi në punësim.
Sipas ligjit në Kosovë, i cili është miratuar në vitin 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt, 1998 – 20 qershor, 1999.
Ky komision ka filluar zyrtarisht punën në shkurt të vitit 2018. Që atëherë, statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës kanë arritur ta marrin mbi 1,000 veta nga rreth 20,000, sa llogaritet të jetë numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë.
Viktimat e dhunës seksuale aplikojnë për njohje të statusit të tyre përmes disa organizatave të përzgjedhura nga Qeveria e Kosovës.
Për aplikim, viktima duhet të plotësojë një formular me të dhëna e detaje për vendin dhe periudhën kur ka ndodhur përdhunimi, me deklarata nga dëshmitarët dhe me raporte eventuale mjekësore. Nëse komisioni nuk bindet, viktima duhet të dalë fizikisht para tij.
Flora ka dalë fizikisht para komisionit dhe është refuzuar. Sipas saj, anëtarët e komisionit i kanë thënë se dëshminë e ka të pasaktë.
“Kur më kanë dhunuar, motrën e kam pasur të vogël. Për atë, më kanë thënë se nuk bën ta sjell si dëshmitare. Nëna më ka vdekur dhe nuk kisha dëshmitar tjetër”, rrëfen Flora.
“Unë, krejt çka më kanë pyetur, ua kam kthyer. Ndoshta ndonjë gjë e kam harruar… Që pesë vjet kam nisur të flas për këtë punë, ta tregoj gjithkund. Ndoshta nuk jam përgjigjur, por ku po e dinë ata që ajo që më ka ndodhur, nuk është e saktë”, thotë ajo.
Flora, më pas, i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku rasti i saj vazhdon të jetë në proces.
Ajo thotë se po kalon nëpër gjendje të vështirë emocionale, pasi i duhet vazhdimisht të flasë për përjetimet e llahtarshme të së kaluarës.
“A e dini sa e vështirë është? Gjithmonë me frikë se fëmijët më pyesin ku po shkon, me kë po shkon, për çka po shkon… Burri im e di [për dhunën], por jo dikush tjetër”, thotë Flora.
Pritje deri në 17 muaj
Linda Sada, drejtoreshë e organizatës Medica Gjakova, përmes së cilës shumë persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale, thotë se refuzimet e rasteve, por edhe pritjet e gjata për shqyrtimin e tyre bëjnë që viktimat të heqin dorë nga aplikimi për statusin që do t’iu takonte.
“Nga Medica Gjakova kanë shkuar në komision për të aplikuar mbi 350 raste, prej të cilave, deri tash, përgjigje pozitive kanë marrë 259 raste. Janë refuzuar katër raste, dy prej të cilave janë në rishqyrtim”, thotë Sada për Radion Evropa e Lirë.
Në organizatën që drejton, Sada thotë se janë duke u trajtuar rastet e mbi 600 grave, të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës dhe që nuk kanë aplikuar ende për statusin e viktimës.
“Këto dokumentet shtesë, që po kërkohen e që në fillim nuk janë kërkuar, paraqesin vështirësi dhe sfidë për viktimat. Është problem të sigurohet apo edhe të ruhet një dokument i mjekut nga viktima që është kontrolluar pas dhunimit”, thotë Sada.
Drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Kosovë, Kadire Tahiraj, thotë se janë të mundimshme pritjet e viktimave “deri në 17 muaj” për shqyrtim të rastit të tyre.
Situatën, sipas saj, e vështirëson edhe paraqitja fizike para komisionit, pasi viktimat kanë frikë nga stigmatizimi.
“Komisioni shpeshherë kërkon dëshmi. Gratë thonë se gjatë luftës, kur kanë dalë nga shtëpitë, kanë qenë në kolona dhe një numër i madh i rrethit [familjarë e fqinj] i kanë parë duke i ndarë nga kolonat, e duke i futur në shtëpi të ndryshme. Kanë kaluar mbi njëzet vjet dhe këto gra, për kaq vite, nuk kanë pranuar të flasin me të afërmit e tyre për këtë krim [përdhunimin]. E, nga këto gra [sot] kërkohet dëshmi: kush të ka parë që të kanë ndarë nga kolona, a i ke treguar ndokujt?”, thotë Tahiraj.
Ajo bën thirrje që gratë e përdhunuara gjatë luftës të trajtohen më dinjitetshëm nga shteti dhe vetë komisioni në fjalë.
“Ato [viktimat] kanë zgjedhur heshtjen dhe kur kjo kategori hesht, të tjerët kanë hapësirë që të mos i trajtojnë dinjitetshëm”, thotë Tahiraj.
Komisioni e ka obligim ligjor që të zhvillojë procesin e verifikimit
Kryetarja e komisionit qeveritar, Minire Begaj-Balaj, thotë se ai po e kryen punën me seriozitet, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal dhe se nuk bëhet fjalë për vonesa e as refuzime pa bazë.
“Komisioni nuk del me përfundimin decidiv se personi që ka aplikuar, është apo jo viktimë e dhunës seksuale, pasi që një konstatim i tillë për këtë proces është i pamundur. Po ashtu, në disa raste që nuk e kanë fituar statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, bëhet fjalë për mungesë juridiksioni, paraqitje të aplikacioneve me pretendimet për dhunim jashtë afatit kohor të përcaktuar me legjislacionin në fuqi, raste kur aplikueset/it nuk kanë arritur të ofrojnë elemente bazike për ngjarjen e pretenduar traumatike”, thotë Begaj-Balaj.
Drejtuesit e komisionit thonë se i përdorin të gjitha mënyrat dhe mjetet në dispozicion, për të siguruar dhe garantuar një proces të drejtë.
Sipas tyre, komisioni ka vendosur komunikim zyrtar me institucionet relevante, siç janë: Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, dhe bashkëpunon edhe me institucionet shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, me qëllim të mbledhjes së informacioneve në favor të aplikueses/it.
Sipas të dhënave zyrtare, 1,618 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, prejse ka filluar punën komisioni qeveritar, më shumë se tre vjet më parë.
Statusi i tillë u është konfirmuar 1,048 personave; 224 aplikime janë refuzuar dhe 304 raste pritet të shqyrtohet.
Në korrik të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënimin e parë për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiq, është dënuar me dhjetë vjet burgim.
(Kosova Sot Online)