Lexoni edhe:
Tradhtia ndaj shtetit ka emër e mbiemër, 23 vite kanë kaluar dhe për krimet e luftës në Kosovë përgjegjësia mbetet e paadresuar!
Procesi gjyqësor në Gjykatën e Qarkut të Cyrihut ndaj 20-vjeçarit me prejardhje nga Kosova, i cili ka goditur dhe lënduar rëndë një police në Strichplatz në Cyrih-Altstetten, ka përfunduar mbrëmjen e së martës me shpalljen fajtor të të akuzuarit.
Gjyqtarët e kanë dënuar të riun nga Cyrihu me njëmbëdhjetë vjet e tre muaj burgim për tentim dhe realizim të lëndimit të rëndë trupor, transmeton albinfo.ch. Ai është shpallur fajtor edhe për shkelje të tjera, që kanë të bëjnë me tejkalim të shpejtësisë në trafik.
Prokurori kishte kërkuar 16 vjet burg për tentim vrasjeje, ndërsa avokati është deklaruar për dënim me gjashtë vjet burg. Kjo, sipas tij duhet të pezullohet në favor të një trajtimi në Qendrën e marrjes së Masave në Uitikon, ku i akuzuari mund të kryejë një trajnim profesional (zanat). Por, gjykata ka zgjedhur rrugën e mesme, shkruan 20minuten.ch.
Siç kemi shkrfuar tashmë, më 28 shkurt 2020, pesë të rinj kishin shkuar me makinë në Strichplatz (vendi ku grumbullohen prostitutat) pak pas orës 23:00 dhe kishin filmuar punonjëset e seksit. Kur njëra prej tyre ua tha këtë policëve të pranishëm, dy policë donin të kontrollonin makinën, transmeton albinfo.ch. Sipas aktakuzës, i akuzuari e ka nisur veturën mbrapa dhe është kthyer me shpejtësi.
Pasi ka bërë disa metra mbrapa, i dyshuari është ndalur, e ka futur veturën në shpejtësinë e parë dhe i ka dhënë gaz. Makina ka kapur policen dhe e ka tërhequr zvarrë për rreth gati 16 metra larg.
Dënimi me njëmbëdhjetë vjet e tre muaj burgim i është shqiptuar kosovarit për shkaktim lëndimesh të rënda trupore dhe krime të tjera. Por gjykata e ka liruar atë nga akuza për vrasje në tentativë, pasi, sispas gjykatës, ai nuk kishte pasur dashje të drejtpërdrejtë për të vrarë.
Nga ana tjetër, gjykata nuk i ka besuar deklarimit të tij se “nuk e kishte vënë re policen”. “Kjo nuk është e besueshme”, është shprehur kryetari i trupit gjykues, përcjell albinfo.ch. Të gjithë të pranishmit tjerë në veturë e kishin parë policen dhe këtë e ka pranuar edhe vetë i akuzuari gjatë marrjes së parë në pyetje.
Sipas raportit të inxhinierisë së trafikut, shpejtësia e goditjes kishte qenë 10 deri në 15 km/h. Gruaja ka pësuar lëndime të rënda gjatë tërheqjes zvarrë”, është shprehur gjyqtari. I akuzuari e ka marrë parasysh këtë veprim dhe “e ka çuar deri në fund” atë.
Avokati i polices së lënduar rëndë thotë se klientja e tij po vuan ende mendërisht dhe fizikisht nga pasojat e ngjarjes.
Ajo, prej vitit të kaluar punon me kohë të pjesshme në zyrën e policisë së qytetit.
(Kosova Sot Online)