Pothuajse të gjitha rastet me COVID-19 në Kosovë janë me variantin Omicron
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se pothuajse të gjitha rastet e konfirmuara me Covid-19 janë me variantin Omicron.
Kjo gjë u tha gjatë mbledhjes së Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me Covid-19.
Varianti i ri i virusit Korona kërkon përditësim të masave duke u bazuar në të dhëna, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit.
Për shkak të natyrës jashtëzakonisht ngjitëse të variantit Omicron, rritja e rasteve, të paktën për një kohë, ishte e pashmangshme. Prandaj, kryeministri kërkoi nga ky Komitet që masat e vendosura ta kenë si qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve.
Siç thotë njoftimi nga Kryeministria, ngadalësimi i rritjes së numrit të rasteve do të sigurojë që funksionimi i sistemit shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, ose nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar.
“Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë qytetarëve që të vaksinohen sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese. Kjo do t’u ofrojë mbrojtjen prej infektimit ose sëmundjes së rëndë, si dhe do ta ndihmojë Kosovën në tërësi, që të kalojë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja”, thuhet në njoftim.
Nga ky takim u bë thirrje për qytetarët që të mos nënvlerësohet varianti Omicron. Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese.
“Prandaj, u bëj thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më shpejt dhe, në veçanti, ta marrin dozën përforcuese posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë. Si gjithmonë, mjeti më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët përreth nesh mbetet vaksinimi masiv”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti në këtë takim.
(Kosova Sot Online)