Kurti: Jemi në fazën më aktive të valës së COVID-19, vaksinohuni sa më shpejt
Kryemnistri Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për gjendjen me pandeminë, ka thënë se Kosova është në fazën me aktive të valës së re të COVID-19.
Ai ka thënë se rritja e rasteve të reja me COVID-19 do të jetë e pashmangshme çfarëdo masa të vendosen.
Megjithatë, ai ka thënë se përmes masave të vendosura synojnë që së paku ta parandalojnë shpejtësinë e përhapjes së virusit.
“Në fund të vitit që e lam pas, më 26 dhjetor, variant Omicron u detektua edhe te ne. Në kohën kur e gjthë bota por edhe rajoni po përballeshin me shifra alarmante të të infektuarve, ishte vetëm çështje kohe kur ky variant i virusit do të përhapej edhe në vendin tonë. Sot ndodhemi në fazën më aktive të kësaj vale. Në dyjavëshin e fundit rastet e reja ditore janë rritur për më shumë se dhjetë ditë dhe ka filluar të vërehet një rritje e dukshme në numrin e hospitalizimeve dhe humbjeve të jetës gjatë ditëve të fundit”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar po rritet çdo ditë e më shumë.
Andaj, ai është shprehur se numri i hozpitalizimeve dhe humbjes së jetëve në këtë fazë është i ulët për shkak të vaksinimit.
“Numri i hospitalizimeve dhe humbjeve të jetës në këtë fazë mund të duket relativisht i ulët kjo natyrisht për shkak se një numër i madh i qytetarëve janë vaksiunuar me dy doza dhe po vazhdon mirë edhe vaksinimi me dozën e tretë përforcuese”, ka shtuar Kurti.
(Kosova Sot Online)