Skandal: Prokurorja speciale dyshohet se i zhduku provat për vrasjen e trefishtë

  • G.g /
  • 02 February 2022 - 10:09
Skandal: Prokurorja speciale dyshohet se i zhduku provat për vrasjen e trefishtë

Fikrije Krasniqi-Fejzullahu dyshohet se ka zhdukur prova që konsiderohen të rëndësishme për zbardhjen e një vrasje të trefishtë në Ferizaj 15 vite më parë. Një kallëzim penal e implikon atë në vepra të dyshimta penale. Veprimet e prokurores i ka cilësuar ” të dyshimta” edhe Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj.

Prokurorja speciale, Fikrije Krasniqi dyshohet se ka zhdukur pesë video-incizime, të cilat mund të ndikonin në zbardhjen e plotë të një vrasjeje të trefishtë në Ferizaj.

Për këtë rast, ish-oficeri policor Shpend Qerimi dhe katër të tjerë akuzohen se më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun.

Në një gjykim të mëhershëm, Shpend Qerimi, së bashku me Besnik Hasanin, janë shpallur fajtor dhe dënuar me 33 vjet burgim. Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim. Lënda, momentalisht ndodhet në shkallën e parë të gjykatës në Prishtinë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës përfaqësohet nga prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu.

Por, veprimet e saj janë kontestuar nga pala mbrojtëse.

Ilir Qerimi, vëllai i të akuzuarit Shpend Qerimi, ka denoncuar prokuroren Krasniqi-Fejzullahu për fshehjen e provave të rastit. Për mos-prezantimin e tyre në procedurën penale.

Në një kallëzim penal të ushtruar në maj të vitit të kaluar, Ilir Qerimi pretendon se prokurorja speciale ka shkatërruar prova të rëndësishme të lëndës, me qëllim që lënda të dështojë në favor të të akuzuarve.

Qerimi thotë se as këto prova kurrë nuk ishin paraqitur në procesin gjyqësor ndaj vëllait të tij dhe të akuzuarit tjetër, Besnik Hasanit.

“Andaj, kam arsyeje dhe besoj se ish-prokurori [i rastit] z. Reshat Millaku dhe prokurorja speciale e tanishme z. Fikrije Krasniqi janë të kapur nga krimi organizuar vetëm dhe vetëm që ky proces gjyqësor të dështoj në favor të akuzuarve”, deklaronte Qerimi.

Kryeprokurori Isufaj: Ka elemente që ndërlidhen me vepra penale

Në muajin maj të vitit të kaluar, kallëzimi penal ndaj saj është iniciuar për hetim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Rastin e ka iniciuar Blerim Isufaj, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, “shefi” i prokurores speciale të dyshuar për zhdukjen e provave.

Isufaj, në një njoftim zyrtar të cilin e ka siguruar Paparaci, vlerëson se denoncimi ndaj prokurores Krasniqi-Fejzullahu përmban elemente të veprës penale.

Kësisoj, ai e drejton për hetim rastin në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Thotë se lënda nuk mund të trajtohet nga Prokuroria Speciale, për shkak të konfliktit të interesit.

“[…] ka elemente që ndërlidhen me vepra penale, që bien në kompetencë të PSRK, mirëpo duke pasur parasysh faktin se personi i dyshuar ushtron funksionin e prokurores në PSRK, pranimi i çështjes së tillë për trajtim nga ana e PSRK-së do të jetë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi si dhe me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë, pasi tek publiku do të krijohet për anshmëri nga ana e PSRK-së”, konstaton Isufaj.

Prokurorja e denoncuar, vendosi t’i marrë përsipër provat dhe të shqyrtojë rëndësinë e tyre vetëm pas analizimit të kallëzimit penal ndaj saj në Prokurorinë Speciale.

Një shkresë tjetër zyrtare të cilën e ka siguruar Paparaci, dëshmohet se prokurorja Krasniqi vendosi t’i administronte provat në gjykatë në muajin qershor të vitit 2021.

Bazuar në një akt përcjellës të saj, më 7 qershor, 2021, prokurorja e rastit njoftoi gjyqtarin e rastit, Naser Foniqin, për shqyrtimin “e rëndësisë së provave” të paraqitura nga Ilir Qerimi.

“Duke pasur parasysh faktin që gjatë shqyrtimit gjyqësor nga shumë dëshmitarë, përfshirë Shpend Qerimin dhe Besnik Hasanin, janë potencuar të dhëna që mund të jetë të përfshira në këto prova – CD, prokuroria ju njofton se tani për tani është duke shqyrtuar rëndësinë e tyre dhe sipas nevojës të njëjtat do t’i propozoj për administrim në gjykatë”, thuhet në aktin përcjellës.

“Provat do të ndikonin deri në zbardhjen e rastit”

Në kallëzimin penal të ushtruar kundër prokurores, thuhet se prokurorja Krasniqi-Fejzullahu, ka fshehur pesë video-incizime që “do të ndikonin deri në zbardhjen e rastit ku tre persona u vranë me armë zjarri në Ferizaj, para 15 viteve”.

Ushtruesi i kallëzimit penal tha se edhe më parë ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, i cili kishte përfaqësuar aktakuzën ndaj të dyshuarve për vrasjen e trefishtë në Ferizaj.

“I njëjti ka shkatërruar prova të rëndësishme e cila është dorëzuar nga ana e Policisë’, përkatësisht nga zyrtari policor, Luan Keka, që kishte intervistuar dëshmitarin kyç Ramiz Tusha, i cili ishte intervistuar në Stacionin Policor të Ferizajt”, thuhet në kallëzimin penal ndaj Krasniqi-Fejzullahut.

Sipas kallëzimit penal, tre të akuzuarit e tjerë, “si Nysret Cena, Agron Dalloshi, Afet Dalloshi, janë të lirë ku në mënyrën më normale vinë në gjykatë dhe kthehen në shtëpi po në të njëjtën mënyrë teksa janë të akuzuar për vrasje”.

Vëllai i Shpend Qerimit ka kërkuar që prokurorja Fikrije Krasniqi të largohet nga administrimi i lëndës. Të zëvendësohet nga një tjetër prokuror i Prokurorisë Speciale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit Agron e Afet Dalloshi, Nysret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarve Agron dhe Afet Dalloshi, ndërsa në një gjykim të mëhershëm, janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish pjesëtarë të Policisë së Kosovës ndërsa i akuzuari Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm.

(Kosova Sot Online)