Ministrja Rizvanolli kërkon që rritja e çmimit të rrymës të nisë prej 800kWh

  • G.g /
  • 02 February 2022 - 13:29
Ministrja Rizvanolli kërkon që rritja e çmimit të rrymës të nisë prej 800kWh

Ministria e Ekonomisë  është duke kërkuar zgjerimin e brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh, në 800 kWh. Kjo është bërë e ditur në raportin me komente që ME ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Propozim tjetër i Ministrisë së Ekonomisë është shtimi i blloqeve tarifore dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1000 kWh.

“Alternativat e propozuara nga ME janë:  1. Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose 2. Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo prej 14 cent/kWh  për konsumin deri në 1000 kWh”, thuhet në raportin me komente.

Nga ministria e udhëhequr nga Artane Rizvanolli kanë vlerësuar se e shohin  të arsyeshme rivendosjen e bllokut të tarifave në kushtet dhe  rrethanat në të cilat po vepron sistemi elektroenergjetik.

https://drive.google.com/file/u/0/d/1JjklxwyNWhuehY3W6bQs0lfLEYfpFRow/view

Më 17 janar ZRrE ka publikuar një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për ata konsumatorë që nuk shpenzojnë më shumë se 600 kWh rrymë në muaj. Kësisoj, organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë thotë se mjetet e ndara nga Qeveria do ta shmangnin nevojën për rritjen e çmimit të rrymës për këtë kategori konsumatorësh.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 kWh për muaj)”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Propozimi i ZRRE-së: Tarifat e energjisë elektrike bazuar në subvencionin e premtuar të Qeverisë. Çmimi i rrymës rritet për ata që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës. 

https://www.facebook.com/DrArtaneRizvanolli/posts/233763222291793

(Kosova Sot Online)