Gjykata nxjerrë urdhëresë për ta sjellë me forcë në seancë ministrin Xhelal Sveçla

  • E /
  • 03 February 2022 - 12:59
Gjykata nxjerrë urdhëresë për ta sjellë me forcë në seancë ministrin Xhelal Sveçla

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjelle me detyrim në seancë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhe Agron Kabashit, pasi që të njëjtin munguan në seancën e së enjtes.

Sveçla, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se në qershor të vitit 2013 kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë ku ishin lënduar lehtë katër policë.

Një vendim i tillë është marr nga gjykatësi i rastit Eroll Gashi, pasi që për të akuzuarit Sveçla dhe Kabashi gjykata kishte prova se të njëjtit ishin ftuar në mënyrë të rregullt ndërsa mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të akuzuarin Kabashi gjykatësi Gashi deklaroi se, i njëjti e ka refuzuar ftesën që të paraqitet në gjykatë, andaj ndaj tij u lëshua urdhëresë për sjelle me detyrim në seancën e radhës.

Po ashtu, në këtë seancë munguan edhe Pajtim Demaj, Sami Avidu, Nol Nushi, Frashër Krasniqi dhe Bekim Shkodra.

Lidhur me mungesën e të akuzuarve Demaj dhe Avdiu, gjykatësi Gashi tha se gjykata  ende nuk ka pranuar fletë dërgesën për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, për të akuzuarin Nushi dhe Shkodra, sipas gjykatësit Gashi gjykata më 22 dhjetor 2021 ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim por deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata nuk ka pranuar ndonjë njoftim zyrtar lidhur me zbatimin e kësaj urdhërese nga e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

Kurse, për të mungesën e të akuzuarit Krasniqi gjykatësi Gashi deklaroi se edhe për të gjykata më 24 janar 2022 kishte lëshuar urdhëresë për sjelle me detyrim mirëpo sipas njoftimit të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë thuhet se i njëjti nuk është gjetur në adresën e dhënë sipas urdhëresës.

Tutje, gjykatësi Gashi tha se në këtë njoftim thuhet se policia ka komunikuar me prindin e të akuzuarit Krasniqi i cili kishte deklaruar se për djalin e tij nuk ka ndonjë informacion se ku jeton.

“Lidhur me mungesën e të akuzuarit, Frashër Krasniqi, gjykatësi, Gashi njoftoi se ndaj të njëjti për të cilin gjykata ka lëshuar urdhëresë me 24.01.2022,  për sjellje me detyrim mirëpo nga stacioni policor veriu ne Prishtinë jemi njoftuar se kemi dalë në adresën sipas urdhëresës Frashër Krasniqi nuk ka qenë në atë adresë , ndërsa ne kemi komunikuar me babin e tij Ali Hasan Krasniqi , dhe i cili ka deklaruar “ djali na ka dal prej dore dhe nuk e dijm se ku jeton” deklaroi gjykatësi Gashi.

Pas konstatimit të palëve i akuzuari Azemi deklaroi se ka afërisht 2 vite që i njëjti kërkon nga prokuroria që të pasijet me shkresat e lendes, mirëpo sipas tij kjo e fundit nuk e përmbushur obligimin e saj.

Lidhur me këtë, prokurori Mustafa deklaroi se në administratën e prokurorisë do të verifikoj nëse ka ndonjë kërkesë të tillë, dhe të gjithë palët që nuk janë të pasitur me shkresat e lendes mund ti drejtohen kësaj prokurorie.

Ndryshe, të pranishëm ishin prokurori Besart Mustafa, Dardan Molliqaj, Egzon Azemi, Afrim Maqastena, Pajtim Havolli, Afrim Hoxha dhe  Besnik Qelaj.

Me qene se nuk u plotësuan kushtet për mbajen e shqyrtimit fillestar, seanca e radhës u shty në kohë të pacaktuar.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Ata po akuzohen se në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.

I akuzuari Bekim Shkodra po akuzohet edhe për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ku si pasojë e këtyre veprimeve lëndime të lehta trupore kanë pësuar policët-të dëmtuarit Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli dhe Bashkim Hyseni.

Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç e veç ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me dënimi me gjobë prej dyqind (200) deri dhjetë mijë (10.000) Euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë (5) vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.

Ndërsa dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkon edhe për veprën penale të “sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 të KPRK-së, vepër kjo për të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)