Policia shpëton pesë persona të ngujuar nga bora në një fshat të Vushtrrisë

  • E /
  • 08 February 2022 - 14:23
Policia shpëton pesë persona të ngujuar nga bora në një fshat të Vushtrrisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndihmuar disa qytetarë që ishin bllokuar nga bora në fshatin Kurillovë të Vushtrrisë.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës.

“Një angazhim i tillë i zyrtarëve policorë  është dëshmuar edhe gjatë natës së kaluar në Vushtrri, ku  rreth  orës 03:00, të datës 8 shkurt 2022, policia kishte pranuar një  informacion se pesë persona me veturën tyre kanë mbetur të bllokuar  nga bora në rrugën e  fshatit Kurillovë të Vushtrrisë”, ka njoftuar policia.

Policia ka bërë të ditur se zona ku ishin ngujuar qytetarët është zonë malore.

“Njësitet  policore, menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Kurillovë që gjendet në një zonë malore dhe një largësi të konsiderueshme nga qyteti i  Vushtrrisë.  Për shkak të kushteve atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme të borës, gjatë rrugës kanë hasur  vështirësi për t’ qarkulluar më tutje”, ka bërë të ditur policia.

Lidhur me këtë rast është ftuar edhe kompania për mirëmbajtjen e rrugëve, për ta hapur rrugën.

“Për të arritur në lokacionin ku ndodhej vetura dhe personat, policia ka ftuar kompaninë për mirëmbajtjen rrugëve që të hapë rrugën, më pas policia  kanë arritur t’i gjejnë personat të cilëve u ka ndihmuar të kthehen në qytetin e Vushtrrisë”, ka njoftuar policia.

(Kosova Sot Online)