Kush është Bashkim Osmani, shqiptari i Kosovës, bossi i klanit mafioz të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në Majorka
Mediat spanjolle i kanë kushtuar një artikull të detajuar, Bashkim Osmanit, shqiptarit të Kosovës, i cili konsiderohet si kreu i një rrjeti mafioz dhe që sipas tyre është aq i lidhur me Majorkën, saqë e konsiderojnë atë si ‘të dashuruar’ me këtë qytet.
50-vjeçari kosovar konsiderohet si anëtari i një klani mafioz me biznese të dyshuara në Gjermani, ku dhe në vitin 2008 është dënuar së bashku me të vëllanë me afërsisht katër vite burg për një krim ekonomik.
Sipas mediave spanjolle, Osmani mbërriti në ishullin ekzotik gati dy dekada më parë dhe pak kohë më pas u martua me një grua gjermane në rezidencën e luksoze në Camp De Mar, në Andratx, në vitin 2017. Madje, për banketin ku merrnin pjesë qindra të ftuar, ai solli me avion privat artistë të njohur gjermanë dhe shqiptarë.
“Osmani kalon periudha të gjata në Mallorca, ku u arrestuan bashkëshortja dhe vjehrri, por operacioni i policisë e kapi atë në Kroaci. Aty u kap dhe pritet që pas pak ditësh të ekstradohet në Spanjë. Katër vite më parë, ai pozoi me aktorët Nick Nolte dhe Til Schweiger në restorantin Ritzi në Puerto Portals, i regjistruar gjatë operacionit dhe që sipas hetimeve kishte dyshime të shumta se mund të ishte përdorur për pastrim parash.”, bëjnë me dije mediat vendase.
Ndërkohë, ato vijojnë më tej, duke shtuar se, kërkimi në rezidencën e tij në Camp de Mar, i kryer të martën e kaluar, zgjati më shumë sesa pritej.
“Pjesa më e madhe e përpjekjeve të agjentëve iu kushtuan depërtimit në kasafortën e Osmanit. Pas disa orësh punë, ata arritën ta hapnin dhe gjetën Brenda një sasi të konsiderueshme parash, bizhuteri dhe dokumentacion. Mirëpo, një pjesë e parave, disa mijëra euro, 50-vjeçari i kishte fshehur aty ku nuk ja priste mendja askujt. Konkretisht, në një kuti me peshqirë higjienike që ndodhej në banjë.”, vijojnë më tej mediat spanjolle.
Referuar informacioneve të policisë spanjolle, rezulton se, hetimi e vendos Osmanin si drejtues të një organizate kriminale të dedikuar për trafik droge dhe pastrim parash, ndaj arrestimi i tij ishte një nga prioritetet kryesore të agjentëve.
Sipas hetimeve, rrjeti që drejtohej nga Osmani i është përkushtuar më së shumti futjes së sasive të mëdha të kokainës në Evropë nga Amerika e Jugut, përmes porteve të ndryshme evropiane.
Droga më pas shpërndahej në të gjithë kontinentin me aeroplanë privatë, automjete të përshtatrua enkas për këtë punë, pako postare dhe kontejnerë transporti me anë të anijeve.
(Kosova Sot Online)