Ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes, dënohet me një vit burgim dhe 700 euro gjobë i akuzuari

  • E. /
  • 22 February 2022 - 11:23
Ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes, dënohet me një vit burgim dhe 700 euro gjobë i akuzuari

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur të martën aktgjykim dënues, ndaj të pandehurit L.M., i akuzuar për veprën penale dhunë në familje dhe lëndim i lehtë trupor.

Sipas njoftimit nga kjo Gjykatë, i akuzuari i lartcekur është dënuar me një vit burgim dhe 700 euro gjobë për dy veprat penale me të cilat ngarkohej, raporton “Betimi për Drejtës”.

Bëhet e ditur se dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti të akuzuarit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 05.01.2022.

“Më datë 4 janar 2022, në orët e mbrëmjes në Prizren, në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri L.M., ushtron dhunë, keqtrajtim fizik, psikologjik dhe ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, ashtu që ditën kritike i pandehuri pasi që fillimisht fjaloset me të dëmtuarën, më pas  e sulmon duke e goditur me grushte nëpër pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e të cilave e dëmtuara ka marrë trajtim mjekësor në spitalin rajonal”, thuhet në njoftim.

Për këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale dhuna në familje nga neni 248 par. 3 lidhur me par. 2 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje në njoftim të Gjykatës, thuhet se me datë, vend dhe kohë të njëjtë si më lartë, për shkak të mosmarrëveshjeve me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, i pandehuri L.M., me dashje e godet duke e gjuajtur me mjet të fortë me çka të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore, ndrydhje në këmb dhe shpinë, të përshkruara sikur në ekspertizën mjeko ligjore

I lartcekuri akuzohej se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 183 par. 1 nën par. 3.1 lidhur me par. 1 nën par 1.4 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)