Dita e dytë e luftës: Gjendja e ukrainasve përmes fotografive më të fuqishme të shkrepura atje
Në ditën e dytë të pushtimit, forcat ruse kanë hyrë edhe në kryeqytetin ukrainas, Kievin. Lufta, që po ndodh në vitin 2022, po shoqërohet me pamje, të cilat po shpërndahen në kohë reale nga mediat dhe në rrjete sociale. Ato duken tronditëse. Edhe më tronditëse për kosovarët, që shumë prej pamjeve u ngjasojnë në përjetimet e tyre të luftës në Kosovë.
Ukrainasit, që u zgjuan dje nën pushtimin e Rusisë, po vazhdojnë të përballen me forcat ruse. Presidenti i vendit dhe autoritetet e Mbrojtjes po përpiqen ta ngrisin moralin e popullit që po konfrontohet me një fuqi botërore.
Në disa zona të kryeqytetit, janë sulmuar ndërtesat. Banorët aty thonë se nuk ka pasur caqe ushtarake dhe objektet e rrënuara janë, ndër të tjera edhe të çerdheve, raporton The Guardian.
Në një prej fotografive nga Kievi shihet një grua ukrainase tek qëndron para banesës së saj të rrënuar prej një sulmi raketor.
Në një fotografi tjetër, shihen disa qytetarë të Kievit, të cilët janë ngujuar në një bodrum, pas alarmeve se do të ketë sulme të reja raketore atje.
Autoritetet vendore kanë kërkuar gjak për ushtarët e lënduar gjatë dyluftimeve me forcat ruse. Në një prej fotografive shihen ukrainasit teksa presin në radhë për të dhuruar gjak për ushtarët e tyre. Pamjet janë shkrepur në qytetin e Lvivit, i cili u pushtua dje nga rusët.
Një fotograf ka kapur një moment të një familjeje të vogël, të cilët të paketuar, bashkë me qenin e tyre, po largoheshin nga shtëpia e tyre.
Fotoreporteri i Reuters ka shkrepur një fotografi ku shihen forcat ukrainase teksa kanë zënë pozicionet e tyre, në qendër të Kievit.
Ushtarët e Ukrainës teksa ecin rreth një rakete të rënë në territorin e tyre. Nuk është e qartë cfarë rakete kishte rënë dhe cka shkaktoi rënien e saj.
Në një fotografi tjetër shihen qytetarët duke mbledhur ato që u kanë shpëtur nga apartamentet e tyre të dëmtuara prej raketave të hedhura në mëngjes.
Ndryshe prej luftërave të mëparshme, lufta në Ukrainë shoqërohet me teknologji të sofistikuar. Ukrainasit marrin njoftimet nga autoritetet e vendit kryesisht prej rrjeteve sociale. Në një prej fotove të shkrepura në stacionet e metrosë, shihen qytetarët të strehuar aty, duke përdorur telefonat e tyre.
Edhe një foto tjetër vjen prej stacioneve të metrove. Aty strehohen qytetarët, në kërkim të sigurisë prej sulmeve të ushtrisë ruse.
Fotografitë e publikuara sot nëpër mediat ndërkombëtare, regjistrojnë kryesisht sulmet që e tronditën kryeqytetin ukrainas. Në një nga to shihen qytetarët teksa vrojtojnë ndërtesat e shkatërruara ku ata jetojnë.
Tashmë shumë ukrainas u kanë mësyrë pikave kufitare. Në një fotografi shihen ata që janë nisur në këmbë drejt kufirit me Hungarinë.
Shpëtimtarët ndihmojnë një banore në rajonin e Luhanskit, në Ukrainën lindore, pas sulmeve.
Pamjet më prekëse, e të shumta, kanë qenë ato të nënave me fëmijë të vegjlit e tyre në duar.
Në një prej fotografive të shkrepura, shihet një nënë që po provon ta vë në gjumë fëmijën e saj të vogël, në një shtrat të improvizuar në metro-stacion.
(Kosova Sot Online)