Forca tokësore, detare e ajrore të ushtrisë britanike arrijnë në kufirin lindor të NATO-s

  • E. /
  • 26 February 2022 - 16:29
Forca tokësore, detare e ajrore të ushtrisë britanike arrijnë në kufirin lindor të NATO-s

Forcat tokësore, detare dhe ajrore britanike kanë arritur në lindje për të përforcuar NATO-n në përgjigje të invazionit rus të Ukrainës.

Anijet e forcave mbretërore detare, trupat britanike dhe luftëtarët e forcave mbretërore ajrore janë duke arritur me dërgesa të reja në Evropën Lindore për ta fuqizuar frontin lindor të NATO-s.

Luftanija “HMS Trent” është në lindje të Mesdheut, duke kryer ushtrime të NATO-s me helikopterët “Merlin” dhe aeroplanin patrullues detar, “P8 Poseidon”. Atyre do t’u bashkohen së shpejti luftanijet “HMS Diamond” dhe “Type 45”, të cilat e nisën lundrimin nga Portsmouth-i dje, ka njoftuar ministria britanike e Mbrojtjes, transmeton Gazeta Express.

Tanket “Challenger 2” dhe automjetet e blinduara të grupit mbretëror uellsian të betejave kanë arritur në Estoni nga Gjermania, ndërsa pajisje shtesë dhe rreth 1.000 trupa do të arrijnë në ditët e ardhshme. Kjo do të çojë në dyfishim të pranisë së Mbretërisë së Bashkuar në Estoni, ku Britania e Madhe udhëheq një grup betejash të NATO-s si pjesë e Pranisë së përforcuar Përpara të Aleancës (së NATO-s)

Aeroplanët luftarakë “Typhoon” tashmë i kanë përfunduar misionet e tyre të para të patrullimit në ajror nëpër rajon, ndërsa katër aeroplanë shtesë janë në bazën “Akrotiri” në Qipro. Aeroplanët “Typhoon”, që fluturojnë nga bazat në Qipro dhe Britani të Madhe, tash janë duke e patrulluar hapësirën ajrore të NATO-s mbi Rumani dhe Poloni bashkë me aleatët e NATO-s me përkrahjen e aeroplanit “Voyager” për mbushje me karburante në ajër.

(Kosova Sot Online)