Zhvillimet kryesore të ditës së nëntë të luftës në Ukrainë

  • 05 March 2022 - 08:14
Zhvillimet kryesore të ditës së nëntë të luftës në Ukrainë

Përmbledhje në pika të shkurtra e zhvillimeve kryesore të ditës së nëntë të luftës në Ukrainë. Në orët e hershme të 4 marsit, forcat ruse sulmuan termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën juglindore duke shkaktuar zjarr të madh që më pas u shua. Sipas agjencisë bërthamore të OKB-së, asnjë dëm nuk u shkaktua në reaktorët e centralit bërthamor në Zaporizhja.

Sulmi afër reaktorit bërthamor nxiti reagime nga shumë liderë botërorë. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi demonstron “pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e dhënies fund të saj”.Ndërkohë forcat ruse bombarduan gjithashtu kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe rrethuan disa qytete të tjera. Një sulm ajror rus ka vrarë gjashtë persona, duke përfshirë një fëmijë, në fshatin Markhalivka pranë Kievit. Aleatët e NATO-s kundërshtuan kërkesën e Ukrainës për zona të ndaluara për fluturime, duke thënë se një ndërhyrje e tillë e drejtpërdrejtë do të çonte në një luftë edhe më brutale. Rusia kufizoi qasjen në faqet e internetit të disa organizatave të huaja të lajmeve, përfshirë BBC-në për përhapjen e “informacionit të rremë”. Parlamenti rus miratoi një ligj që vendos dënime deri në 15 vjet burg për përhapjen e informacionit “të rremë” në lidhje me forcat e armatosura. Rregullatori rus i mediave kufizoi qasjen në rrjetin social Twitter pasi bllokoi Facebook-un në vend, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve të premten.

(Kosova Sot Online )