Rrëfimi i Rexhep Gjergjit, Saga e varrimit të Jasharëve-negociata, kërcënime dhe vështirësi për sigurimin e arkivolëve

  • E. /
  • 08 March 2022 - 15:34
Rrëfimi i Rexhep Gjergjit, Saga e varrimit të Jasharëve-negociata, kërcënime dhe vështirësi për sigurimin e arkivolëve

Njëri ndër bashkëthemeluesit e LDK-së, Rexhep Gjergji, të martën, në emisionin “Pressing” ka shpalosur  detaje për ngjarjet e 5,6, 7 marsit në Prekaz ku forcat serbe kishin vrarë rreth 60  persona, 20 prej të cilëve anëtarë të Familjes Jashari. Ai ka folur se si bashkë me kolegë partiakë kishin shkuar deri në afërsi të fshatit nga ku i kishin dëgjuar për luftimet e para, për vështirësitë e organizimit të  varrimit të trupave dhe kërcënimet që po ua bënte policia serbe në Skënderaj.  Gjergji ka treguar se si kishin provuar të mbledhnin arkivole për t’i ruajtur sa më shumë kufomat që të mos dëmtoheshin kur të vinte koha për t’iu bërë obduksioni.

Rexhep Gjergji, njëri ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka rrëfyer të martën për T7, rreth ceremonisë së varrimit të anëtarëve familjes Jashari në Prekaz në vitin 1998, të vrarë nga forcat serbe.

Gjergji në emisionin “Pressing”, tha se asokohe e kishte idenë se nëse familjarët e vrarë të kësaj familjeje do të varroseshin në arkivole, kufomat do të ruheshin më shumë dhe dokumentimi i masakrës do të ishte më i lehtë.

“Unë e nisa një iniciativë për grumbullimin e arkivoleve në xhamia të Prishtinës dhe të rrethinës, të cilat kishin mbetë në xhamia të njerëzve që ishin vrarë në shërbim ushtarak. I vrisnin shqiptarët, pastaj ata varroseshin në bazë të riteve dhe arkivolet mbeteshin në xhamia. Ideja ishte kjo, që varrimi të bëhet në arkivole në mënyrë që kufomat të mos dëmtoheshin se në rast se vijnë mjekët të kenë mundësi më të mëdha për identifikimin e shkaqeve të vdekjes dhe mënyrës së masakrimit të njerëzve. Përkundër faktit që assesi se s’kishim asnjë mundësi për dërgimin e arkivoleve atje për shkak të bllokadës në të cilën ishte Drenica. Ishte një përpjekje më tepër vullnet, dëshirë për me bë diçka. Kjo ka qenë ide ekskluzive e imja. Ideja ishte që të ruhen sa më gjatë që ishte e mundur kufomat”, tha ai.

Ai foli edhe për shkuarjen në Prekaz më 8 mars të vitit 1998 për të parë gjendjen nga afër, pasi siç tha ai kishin dëgjuar që kishte njerëz të vrarë.

“Me datën 8 kemi shkuar sërish në atë pjesë të Prekazit. Kësaj radhe na është bashkangjitur edhe Alush Gashi, doktori që ishte këshilltar për çështje shëndetësore te presidentit Rugova dhe kemi shkuar në pjesën e Prekazit të Sipërm ku ishim me datë 6. Në bisedë e sipër që kishim me njerëz atje po e pyes dikë se a ka qasje dhe mundësi që të depërtohet deri atje. Një prej tyre më tha ato shtëpia që po i sheh janë të mijat. E pyeta se a ka mundësi mem afru deri aty. Tha mundësi ka por është rrezik”, tha ai.

Gjergji tregoi se si u janë afruar afër kullave të Jasharëve.

“Kemi shkuar zhag nëpër thera unë. Kolegët e mi, Basriu dhe Alushi, kanë mbet lartë me një grumbull njerëzish. Kemi shkuar zhag dhe kemi hyrë në shtëpi. Nga pozicioni ku kemi qenë aty, nga shtëpia e axhës Shavban me djem, në vijë ajrore as 200 metra nuk i ka. Shtëpia, lëvizjet, policët ishin ende aty, që lëvizshin andej. Ishte data 8 dhe të shtënat tashmë kishin pushu. Tu lëviz nga ajo shtëpi tek tjerat për me e marr këndin më të mirë të shikimit nga ana tjetër na kanë gjuajt prej shpatit”, deklaroi Gjergji.

Rrëfimin e vazhdon me marrjen e lajmit se dy anëtarë të familjes Jashari kanë dal të gjallë nga kullat.

“Kur jemi kthyer lart tek zabeli, na kanë treguar se dy anëtarët të familjes Jashari kanë dalë. Është fjala për Besarten këtë djalin tjetër që ka shpëtuar. Kemi marr rrugën për Prishtinë dhe kur kemi ardhur në hyrje të Vushtrrisë, na kanë ndalë policia dhe na kanë arrestuar. Na kanë mbajtur në stacionin e policisë. Pastaj jemi kthyer në Prishtinë dhe unë kam filluar që të merrem me grumbullimin  e arkivoleve”, deklaroi ai.

Si u koordinuan në Degën e LDK-së në Gjakovë për futjen e arkivoleve në Drenicë?

Rexhep Gjergji i LDK-së, tregoi në “Pressing” edhe për bisedat me Degën e LDK-së në Gjakovë që arkivolet të futeshin në Drenicë përmes Malishevës.

“Pastaj morëm një informatë që ndoshta ka mundësi që nga ana e Gjakovës, përmes Malishevës me u afru më tepër në Drenicë. Kam thirrur në zyrën e LDK-së në Gjakovë. Është lajmëruar Mevlyde Saraçi që atëherë ka qenë nënkryetare e LDK-së. Kryetar atje ishte Haqif Shehu, dhe i tregova idenë e grumbullimit të arkivoleve dhe i tregova që diku në Prishtinë me rrethinë i kam grumbulluar rreth 40 arkivole”, tha ai, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij, nga LDK në Gjakovë ishin të gatshëm për t’u dhënë ndihmë për bartjen e arkivoleve në Prekaz.

“Ai më tha se nëse keni mundësi diqysh me i depërtu me kamion unë i sigurojë të gjitha. Tha lej të tjerat sepse prej Prishtinës është vështirë”, deklaroi ai.

Si filluan negociatat për futjen në Skenderaj përmes Prishtinës?

Gjergji në “Pressing” tregon edhe për fillimin e negociatave me komandantin e Stacionit Policor në Skenderaj për të mundësuar hyrjen në Skenderaj përmes Prishtinës.

Ai tha se janë telefonuar vet nga komandanti i policisë në Skenderaj, teksa tha se kërkesë e tij ishte ndërmjetësimin për varrimin e kufomave të Jasharëve.

“Ka kaluar data 9 dhe tash jemi tek data 10. Me datën 10 diku në orët e fundit të paradites. Mund të ketë qenë ora 11:00 unë kam qenë me Basri Musmuratin në zyrën e LDK-së ku ndiqnim informatat edhe në mërgim. Ka ra telefoni dhe është paraqitur serbisht një person. Është paraqitur si komandanti i policisë së Skenderajt. Unë e kam pas telefonin, ia kam dhënë Basriut me fol. Ai ka kërkuar nga ne që të bëjmë presion në Degën e LDK-së në Skenderaj sepse sipas tij po rezistonin që të varrosen kufomat”, tha ai.

Siç tha Gjergji, ky komandant u ka thënë se kufomat janë grumbulluar por se po ka kundërshtime për varrosjen e tyre.

“Kufomat janë të mbledhura, sikur tha ai të grumbulluara diku dhe pritet varrimi i tyre dhe Dega e LDK-së thotë ai degat e formacioneve të tjera politike po rezistojnë në varrimin. Ai na doli që është komandanti. Ne i tham që s’kemi mundësi me ndiku nga Prishtina dhe mund të dëgjohemi pas pak. Ideja ishte me e shfrytëzua momentin që me shku në Prekaz, në Skenderaj sepse përmes Prishtinës vetëm dikush në mënyrë ilegale që kish mujt me depërtu. Depërtimet tjera ishin shumë të pakta”, deklaroi ai.

E bisedat me të, siç thotë Gjergji kanë vazhduar herë pas here me ndërprerje.

“Ai ka thirrë pas disa minutash . Mund të kenë qenë deri në 20 minuta. Ai tha qe ju po lypni diçka por ne mund ta krijojmë mundësinë me ardh me e pa pra situatën. I thamë ne kemi kërkesë tjetër, se ne e kemi kërkesën që me e mundësu me i çu arkivolet. Tha kjo nuk është në mundësinë time dhe se duhet me i pyet më lartë. Kanë qenë dy tri biseda telefonike në intervale kohore nga 30 minuta dhe ne kemi vendos me insitu në këtë kërkesë”, tha ai.

E vendimet ai tha se i kanë marrë në koordinim me Kryesinë e LDK-së.

“E kryjshëm bisedën e telefonit, kalojshim në zyrën tjetër dhe i marrshim vendimet me Kryesinë. Në fund jemi marrë vesh që me na u leju dy vetura me shku nga Prishtina. Kemi thënë që një kamion me arkivole e kemi në Gjakovë. U keni dhënë tabelat e veturave dhe kemi vendosur me shku në vend të ngjarjes. Kemi dalë prej zyrave. Kam takuar Fatmir Sejdiun. Ai ka qenë i lënduar nga një protestë që është bërë për Drenicën disa ditë më përpara”, tha ai.

Ai tregoi edhe për marrjen e rrugës drejt Skenderajt dhe për personat që shkuan atje.

“E informova atë se si është puna dhe i thashë a po don me ardhë. Ai tha po. A po don me shku kah Prizreni në Gjakovë a po vjen ka Komorani. Ai shprehu dëshirën me shku nga Prizreni. Ai kishte qenë sekretar i përgjithshëm i LDK-së. Dy vetura kemi shkuar nga Prishtina. Kemi qenë unë, Basri Musmurati, Anton Noka, Abdyl Rama, Enver Maloku, Ilaz Bylykbashi. Ilazi dhe Enveri e kanë pasur nga një aparat të cilin njëri e kam marrë unë e tjetrin e ka marr Abdyl Rama”, deklaroi ai.

Gjergji: Serbët na përcollën deri në Rrezallë, na thanë ruajuni se mund të ju vrasin UÇK-ja

Rexhep Gjergji, njëri ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka treguar ekskluzivisht për T7, se si policët serbë i kanë përcjellë deri në Rrezallë dhe i kanë këshilluar për tu ruajtur.

“Në veturën që ka shkuar nga Prizreni për Gjakovë për me iu bashku kamionit në përcjelljen e arkivoleve ka qenë Fatmir Sejdiu, Edi Shukriu, nëse s’gaboj Ramë Buja. Kështu ka qenë situata. Kur kemi shkuar në Komoran, si kemi dal tek ‘Kroi i Mbretit’, na kanë dal tytat e mitralozave dhe dritat dhe na kanë blloku, na kanë ndal. U bënin sikur nuk e dinin informatën që po shkonim andej. Na kanë mbajt një kohë aty dhe prisnim sikur po vjen kamioni nga Gjakova me arkivole që me shku bashkë. Ka dalë një veturë e tyre na ka prit dhe na ka përcjell deri në Rrezallë”, tha ai.

Sipas tij, ata u thanë që të ruheshin nga UÇK-ja sepse mund të vriteshin.

“Tash tha jeni të lirë me shku, vetëm tha ruajuni se ju vret UÇK-ja. Këtyre kolegeve që ishim në veturë u thashë këta kanë me na vra nga prapa e me thënë i ka vra UÇK-ja. Nuk ndodhi asgjë. Në hyre të Skenderajt ka qenë një depo e materialeve ndërtimore që ende ishte ashtu. Aty kanë qenë kufomat e ekspozume të gjithë me radhë”, tha ai.

Gjergji: Serbët na kërcënuan që nëse nuk varrosen kufomat brenda ditës, do t’i zhduknin

Rexhep Gjergji i LDK-së tregoi në “Pressing” se si negociatat për varrimin e trupave të kufomave të Jasharëve vazhduan edhe pas shkuarjes së tyre në Prekaz.

Ai tha se pranë kufomave kishin ardhur familjarë e aktivistë që nuk ishin të pajtimit që trupat të varroseshin brenda asaj dite.

“Aty kur kem shkuar e kemi gjetur profesorin Zekria Cana. Kishte shkuar nga ana e Malishevës me disa aktivistë, ishin dhe disa të LDK-së jo shumë, disa të KMDLNj-së dhe tash ka pasur vetëm një numër i kufizuar i familjarësh që kishin shkuar dhe i takonin familjarët e vrarë aty. Kem nis me i pa kufomat. Ilaz Bylykbashi i ka bërë thuajse fotografitë që ekspozohen. Enver Maloku ka marrë shënime gjeneral për secilin që ka mujtë me u identifiku. Një pjesë e tyre ka qenë aq e masakruar sa s’ka pas mundësi që të identifikohen. Kanë qenë të karbonizuar”, tha ai.

Gjergji tha se kanë pasur presion që të insistojnë që kufomat të varroseshin atë ditë.

“Në ndërkohë e morëm vesh që disa vendas aty kishin shkuar dhe kanë filluar me hap varrezat. Në ndërkohë gjatë këtij aktiviteti kanë ardhur policia me autoblinda më kanë marrë mua, Basriun dhe Antonin dhe na kanë çu në stacion të policisë. Ata kanë ba presion tek ne që na ju kemi mundësuar ardhjen këtu me qëllim që të bëni presion asnjë aktivitet në funksion të varrimit të kufomave nuk po bëhet”, tha ai.

Ai foli edhe kërcënimet. Serbët siç thotë ai kërcënuan se do t’i zhduknin kufomat në rast se nuk do të varroseshin atë ditë.

“Ata na kanë kërcënuar drejtpërdrejt. Kërcënimi tjetër ka qenë se nëse varrimi i kufomave nuk behet sot na varrimin e tyre do ta bëjmë në një vend të panjohur dhe do t’i zhdukim kufomat. Aty para stacionit të policisë kanë qenë dy-tri kamioneta dhe më një grup njerëzish, kryesisht të nacionaliteti romë kanë qenë, me lopata e me mjete të punës linin përshtypje që janë të gatshëm me e bë atë punë. Kur e kam parë gjithë atë masakër dhe gjithë atë tragjedi që ishte bërë aty, unë kam qenë plotësisht i bindur që ata munden me e bë edhe atë, me i zhduk kufomat”, tha më tutje ai.

Kush insistonte që varrimi i Jasharëve të mos bëhet me 10 mars, flet Gjergji

Gjergji në “Pressing”, tha se profesori Zekria Cana ishte ai që insistonte që të mos fillojë varrimi atë ditë.

“Jemi kthyer me veturë dhe u kremi treguar që duhet me e ba varrimin ose të paktën duhet me e ba varrimin sepse është ky rrezik. Kjo ishte kërkesa. Profesori Cana insistonte që të mos fillojë varrimi. Unë e kisha këtë frikë. Të tjerët nuk folshin shumë me thënë të drejtën. Profesori Cana thoshte mazi se që kanë ba s’kanë qa me ba. Ai në këndin tjetër me plotë të drejtë e unë në këndin tjetër me plotë të drejtë”, tha Gjergji.

Ai tregoi se si policia serbe i kishte marrë për herë të dytë ata.

“Kanë ardhur edhe një herë na kanë marrë. Hera e dytë, policia. Aty kemi pasur pak problem dhe ishim në rrezik. Unë kundërshtova që ne nuk do të bëjmë presion për varrimin e kufomave sepse shumica absolute e njerëzve të vrarë nuk kanë as një familjarë aty dhe nuk ka asnjë dëshmi. Aty u ashpërsua situata shumë. U qetësua disi me pak ndërhyrje të Basri Musmuratit dhe Anton Nokës. Domethënë e kaluam atë situatë dhe u kthyem . Prapë njësojë e njëjta natyrë e bisedës me njerëzit që ishin prezent, me profesorin Cana dhe të tjerët”, deklaroi ai.

E për një pjesë të kufomave, Gjergji tha se kishin vështirësi për t’i identifikuar dhe se kjo ishte arsyeja pse kundërshtohej fillimi i varrimit të kufomave.

“Unë i luta që është mirë të fillojmë bile disa njerëz t’i varrosim dhe të themi që erdhi mbrëmja dhe nuk kemi mundësi që t’i varrosim të tjerët. Po ajo nuk bë. Tash nëse është me e përshkru se çfarë kemi parë aty, është se kemi parë njerëz të masakruar, të karbonizuar. Një pjesë bukur të madhe nuk e dijshëm. Për një pjesë ata vendor që ishin aty e dinin dhe na ndihmonin në identifikim”, the më tutje ai emisionin Pressing.

Gjergji: Kufoma e Adem Jasharit ishte më e padëmtuara

Njëri ndër bashkëthemeluesit e LDK-së, Rexhep Gjergji, ka treguar në emisionin Pressing tha se kufoma e Adem Jasharit ka qenë më e padëmtuara nga të tjerat.

“Një gjë mund ta them që kufoma më e pa dëmtuara ishte Adem Jashari. Gjithë të tjerët kanë qenë më të dëmtuar. Për pjesën e fytyrës dhe të trupit ai e ka pasur një plagë n gjoks në anën a majtë dhe pjesa tjetër nuk ka qenë e dëmtuar. Vetëm një plagë për aq sa e kem parë sepse gjoksi ka qenë i zbuluar. Axha Shaban ka qenë shumë i dëmtuar, shumë i masakruar. Hamza ka qenë poashtu. Po flas prej figurave qendrore. Hamza ka qenë shumë i dëmtuar. Me gjasë i ka rënë granata në gjoks dhe vetëm pjesën e shpinë e ka pas, pjesën përpara e ka pasur komplet të djegur. Kanë qenë pamje të rënda”, tha ai.

Si u varrosën në fund anëtarët e familjes Jashari, flet Rexhep Gjergji?

Rexhep Gjergji ka treguar në “Pressing edhe për shpërndarjen e fotografive të kufomave të familjes Jashari dhe mobilizimin e botës për këtë ngjarje.

“Tash erdhi mbrëmja dhe në mesin e këtyre njerëzve që i kemi gjetur aty ka qenë edhe hoxha Osman Musliu. Erdhën orët e mbrëmjes. Ne vendosëm me u kthy në Prishtinë. Po flasim për datën 10. Presioni i policisë ka qenë që varrimi të bëhet., u vendos që varrimi të mos bëhet,. Kur shkuam tek Rrezalla ne e takuam hoxhën. Erdhëm në Prishtinë dhe thirrëm konferencë për shtyp. I treguam fotografitë dhe i dërguam edhe zyrës amerikane. Të nesërmen kanë shkuar në Beograd dhe janë shpërndarë në gjithë botën”, tha ai.

Ai tregoi se si policia serbe brenda asaj nate e kishte bërë dhunshëm varrimin e pjesëtareve të familjes Jashari.

“Diku pas orës 7-8 erdhi informata që Policia ka bërë varrimin e tyre, varrimin e gjithë të vrarëve., ne s’kemi qenë më dhe nuk jam pjesë e procesit. Siç kam dëgjuar të nesërmen është bërë ceremonia e zhvarrimi dhe varrimit sipas traditës së të gjithë të vrarëve me një rend. Datën 10 në mbrëmje është bërë varrimi i dhunshëm. Nuk e di se si është bërë varrimi”, tha ai.

(Kosova Sot Online)