Viza “S” në Zvicër: U krijua për kosovarët, po zbatohet për herë të parë për ukrainasit

  • E. /
  • 09 March 2022 - 13:52
Viza “S” në Zvicër: U krijua për kosovarët, po zbatohet për herë të parë për ukrainasit

Statusi ka ekzistuar për më shumë se dy dekada. Por tani, për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën, Këshilli Federal ka vendosur të aktivizojë të ashtuquajturin “status të mbrojtjes (azilit) S”.

Këshilli Federal po aktivizon me rastin e refugjatëve nga Ukraina për herë të parë, të ashtuquajturin status të azilit “S”. Përmes këtij statusi ai synon t’u japë ukrainasve mbrojtje joburokratike në Zvicër.

Por është interesante se ky status që është krijuar në kohën e krizës së refugjatëve të Kosovës, po hyn në përdorim për herë të parë tani, 23 vjet më vonë.

Statusi ka ekzistuar për më shumë se dy dekada, dhe për shkak se nuk është përdorur kurrë gjatë gjithë atyre viteve, ai shpesh është cilësuar si një “tigër prej letre”, transmeton albinfo.ch. Por tani, për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën, Këshilli Federal ka vendosur të aktivizojë të ashtuquajturin “status të mbrojtjes (azilit) S”.

Ky status bën të mundur pranimin e përkohshëm të ukrainasve pa pasur nevojë të kalojnë nëpër procedurën e zakonshme të azilit. Në mënyrë të veçantë, ligji parashikon që Zvicra mund t’u japë “mbrojtje të përkohshme atyre që kanë nevojë për mbrojtje gjatë kohëzgjatjes së një kërcënimi serioz të përgjithshëm, veçanërisht gjatë një lufte (…).

Statusi i mbrojtjes S qe krijuar për shkak të luftërave në ish Jugosllavi. Në atë kohë, dhjetëra mijëra refugjatë kishin ikur në Zvicër. Numër veçanërisht i madh i të ikurve është shënuar gjatë luftës në Kosovë. Kështu, në vitin 1998, Zvicra kishte regjistruar 43.000 kërkesa për azil vetëm nga kosovarët ndërsa në vitin 1999 ky numër ishte ngjitur në 47.500, shrkuan “Aargauer Zeitung”. Për të pasur një ide mbi madhësinë e numrit: në kulmin e të ashtuquajturës “krizë e refugjatëve” në vitin 2015, ishin më pak se 40,000.

Ishte inkuadruar edhe ushtria 

Për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve, autoritetet nuk kishin pasur kapacitet që të vazhdonin më me regjistrimin, transmeton albinfo.ch. Kështu, në nëntor të vitit 1998 duhej të ndihmonte edhe ushtria.

Këshilltari i atëhershëm federal Arnold Koller kishte thënë për emisionin “Tagesschau” në atë kohë: “Për deri në 2000 azilkërkues që nuk janë regjistruar ende nga autoritetet federale në qendrat e pritjes duhet të kujdesen pjesëtarët e ushtrisë derisa Zyra Federale të jetë në gjendje t`i regjistrojüe dhe shpërndajë ata nëpër kantone.”

Autoritetet kërkonin vende për strehim. Disa nga refugjatët qenë strehuar në objekte të mbrojtjes civile dhe ushtarake.

Një raport nga agjencia e lajmeve sda ​​në qershor 1999 tregon stërmbushjen e vendeve për strehim në atë kohë: “Për shkak se strehimoret kantonale të refugjatëve janë plot 99.8 për qind, Zyra Federale për Refugjatët ka anuluar të hënën një fluturim nga Maqedonia në Cyrih me refugjatë të tjerë të Kosovës”.

Varianti ekstrem: Deri në 80,000 refugjatë

Në prill të vitit 1999, Këshilli Federal pati vendosur, me kërkesë të agjencisë së OKB-së për refugjatë, UNHCR, të pranonte rreth 2,500 refugjatë kosovarë që ishin strehuar në Maqedoni. Ai gjithashtu kishte vendosur që kolektivisht të pranojë përkohësisht personat të cilët Kosovën e kishin vendbanimin e fundit.

“Refugjatët kosovarë po nxitojnë drejt Zvicrës”, shkruante Blick pak kohë më vonë. Numri prej  80,000 azilkërkuesish për vitin 1999 konisiderohej si ”variant ekstrem i imagjinueshëm”. Por, puna nuk shkoi deri aty. Në qershor 1999, pas disa javësh të sulmeve ajrore nga NATO, lufta përfundoi.

Autoritetet zvicerane filluan menjëherë  pas kësaj, ndihmat e kthimit. Sipas publikimit “Praktika zvicerane e azilit nga viti 1979 deri në vitin 2019”, më shumë se 40,000 persona janë kthyer vullnetarisht në Kosovë ndërmjet viteve 1999 dhe 2001. Në fund vetëm një pjesë e vogël kishte marrë azil.

Sipas studimit të diasporës “Popullsia kosovare në Zvicër”, përqindja e njerëzve që kanë hyrë në Zvicër përmes rrugës së azilit është “shpesh shumë e mbivlerësuar”, transmeton albinfo.ch. Shumica dërmuese e popullatës kosovare që jeton këtu përbëhet nga  ish-punëtorë sezonalë, të afërmit e tyre që më vonë u shpërngulën në Zvicër dhe fëmijët që janë rritur në Zvicër.

Këshilli Federal kishte frikë që Zvicra të bëhej “tepër atraktive” për refugjatët

Pas përfundimit të luftërave ballkanike, numri i azilkërkuesve pati shënuar rënie të shpejtë. Statusi i sapokrijuar i mbrojtjes S nuk u përdor kurrë.

Gjatë krizës së refugjatëve (viti 2015), palë të ndryshme sollën idenë e aplikimit të këtij statusi për sirianët dhe eritreanët. Por, Këshilli Federal e kishte kundërshtuar këtë duke thënë se nuk përmbusheshin kriteret. Ai gjithashtu kishte frikë se Zvicra kështu mund të bëhej shumë tërheqëse për refugjatët nëse ata – ndryshe nga praktika në vendet e tjera – nuk do të duhej të kalonin nëpër procedurë azili.

Tani që BE-ja po aktivizon direktivën e saj për mbrojtjen e përkohshme, pikënisja është e ndryshme, pasi edhe ajo po heq dorë nga procedurat e duhura të azilit, përcjell albinfo.ch. Rastësisht, edhe kjo direktivë e BE-së kishte lindur nga përvoja e luftërave ballkanike në vitet 1990 – dhe tani po zbatohet për herë të parë.

(Kosova Sot Online)