“S’ka produkt që s’i ka lëvizur çmimi”, krejt çka thanë sot deputetët për rritjen e çmimeve

  • A.P /
  • 15 March 2022 - 15:52
“S’ka produkt që s’i ka lëvizur çmimi”, krejt çka thanë sot deputetët për rritjen e çmimeve

Qeveria e Kosovës po reagon me vonesë dhe pa takt ndaj krizave, me të cilat së fundi po përballet Kosova, qoftë atë energjetike, apo tani me atë të rritjes së çmimeve, tha deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, teksa prezantoi temën për të cilën u thirr seanca e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahet të martën.

“Rritja e çmimeve është bërë pandemi e dytë. Nuk ka produkt të cilit nuk i ka lëvizur çmimi. Inflacioni mbetet një nga kërcënimet kryesore të rimëkëmbjes së shpejt dhe të rënies së fuqisë blerëse për qytetarët tanë”, tha deputetja Bajrami.

Partitë opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thirrur seancën e jashtëzakonshme parlamentare për rritjen e çmimeve.

Deputetja Bajrami tha se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën, duke ndërhyrë në tregun e lirë, me qëllim që të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve.

“Duhet të menaxhoni me kriza të tilla. Me ndërhyrjet tuaja po shkaktoni dëme – ekonomisë dhe qytetarëve, duke maksimalizuar dëmet”, tha ajo.

Ndërkaq, ajo përmendi rritjen e çmimeve të karburanteve dhe të vajit. Te rasti i fundit, ajo pranoi se disa kompani e kanë keqpërdorur situatën, por tha se ekzekutivi nuk duhet ta godasë të gjithë sektorin privat.

“Ngritja e çmimit të karburanteve ndikoi që brenda disa ditësh të kemi ngritje eksponenciale për shumë artikuj që janë esencial për jetën e qytetarëve. Sa i përket rritjes së çmimeve të karburanteve, disa vende hoqën apo zvogëluan akcizën, bashkë me të edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për t’u dalë sadopak në ndihmë qytetarëve. Qeveria jonë nuk bëri asgjë. Qeveria e mori një vendim për marzhën e kufizimit të përfitimit për naftëtarët 4 dhe 6 për qind”, tha Bajrami.

Bajrami kritikoi edhe reagimin e Qeverisë për krizën energjetike dhe tha se këtë muaj do të ndihet pesha e rritjes së tarifave të energjisë elektrike dhe e ftoi që të marrë praktikat e shteteve në rajon që qytetarët ta tejkalojnë më lehtë krizën me energjinë dhe rritjen e çmimeve.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, kritikoi opozitën se po tenton që ta paraqesë ekzekutivin si joaktiv ndaj ngjarjeve që po ndodhin në Kosovë dhe botë.

Ajo tha se kriza që ka goditur botën për shkak luftës në Ukrainë, pashmangshëm që e ka prekur Kosovën.

“Ky debat i ditës së sotme, përveç që synon të keqinformojë për mosiniciativat e ashtuquajtura të Qeverisë, për qëllim ka thellimin e panikut dhe ndjenjës së paqartësisë, në kohën kur e gjithë bota, natyrisht edhe Kosova ballafaqohen me pamjet e rënda të luftës së egër në Ukrainë”, tha Kusari-Lila.

“Është e padrejtë që të akuzohet kjo Qeveri për mosaktivitet apo mosreagim”, shtoi ajo.

Kusari-Lila tha se disa kompani përfituan nga ngjarjet në Ukrainë, ku Rusia që prej 24 shkurtit ka nisur pushtimin e këtij shteti, për të nxjerrë fitime komerciale.

“Fatkeqësisht ishte e njëjta ndjenjë e cila u provua të ushqehej dhe të rritej nga një kompani apo disa kompani kosovare, të cilat siç duket, përfitimet nga kriza, qoftë ajo e pandemisë, apo tani ajo e luftës në Ukrainë e kanë specialitet, me qëllim puro komercial, qoftë edhe nëse ky fitim nënkupton krijimin e panikut dhe stresit nga pamjet që shohim. Ato kompani i bën ato lëvizje për përfitime komerciale, ju sot, natyrisht se e bëni këtë debat për përfitim politik”, ka shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Qeveria nuk ka plan për ta zbutur krizën ekonomike. Sipas tij, lufta në Ukrainë ka krijuar çrregullime në treg, por, sipas tij, ekzekutivi duhet të gjejë zgjidhje.

“Kjo seancë do të duhej të mbahej për t’i kontribuar planeve tuaja si Qeveri, por në fakt po mbahet sepse ju nuk keni kurrfarë plani përballë kësaj situate. Më mirë do të ishte të kishit një plan sado të keq, të cilit do të mund t’i kontribuonim sot, sesa të mos keni fare plan dhe të rrini si spektatorë, siç po rrini në këtë situatë”, tha Krasniqi.

Ai kërkoi që Qeveria të reagojë dhe të rrisë sasinë e rezervave shtetërore.

“Meqenëse nuk prodhojmë shumë prej produkteve esenciale, rezervat shtetërore duhet të rriten me urgjencë sepse janë të frikshme paralajmërimet e vendeve të ndryshme nëpër Evropë që kanë ndaluar eksportin e produkteve esenciale dhe kjo është një prej arsyeve që ne duhet t’i përgjigjemi këtij trendi sa kemi ende mundësi”, tha kreu i PDK-së.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova është duke u përballur me rritjen më të madhe të inflacionit brenda vitit.

Ai kërkoi që të ketë lehtësime tatimore, në mënyrë që të tejkalohet kriza me rritjen e çmimeve, e cila tha se është “e papërballueshme për qytetarët”.

“Ne kërkojmë të ketë reduktim të akcizës, të ketë reduktim të TVSH-së në lëndë të parë dhe heqje të TVSH-së në të gjitha produktet bazike të shportës së konsumatorit. Këto janë masa imediate, mund të përdoren për një periudhë afatshkurtër derisa të kapërcejë kriza, sidomos në lëndë të parë, në mënyrë që të mos destabilizohet buxheti i vendit. Të tjerat janë çështje të përballueshmërisë së qytetarëve tanë”, tha Abdixhiku.

“Të mos harrojmë se rritja e çmimeve të energjisë elektrike, rritja e çmimeve të derivateve, rritja e çmimeve të produkteve bazike janë bërë thjesht të papërballueshme për qytetarët në një periudhë kaq të shpejtë dhe kaq të ngjeshur kohore”, shtoi ai.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shkurt, 2022, me muajin shkurt, 2021, ishte 7.5 për qind.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se rritja e çmimeve është trend global dhe nuk e akuzojnë Qeverinë për të, por për mosndërmarrjen e masave në kohë.

“Si subjekt politik, si grup parlamentar ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se kjo temë, ngritja e çmimeve është një trend global dhe vjen jo rrjedhimisht jo vetëm për shkak të konfliktit në Ukrainë, por vjen për shumë kriza të cilat i kemi adresuar tash e pesë muaj. Atëherë, në qoftë se ky është trend global, cila është kritika jonë, qasja jonë? Është e thjesht: ne sot kërkojmë llogari nga një qeveri që ka fituar mbi 50 për qind të votave, e cila nuk ka masë, apo të themi më mirë e më troç ka marrë masat më të ‘lodhëta’ në Ballkanin Perëndimor, barazuar me vendet e kontinentit Afrikan me trendin më të ulët të varfërisë”, tha Tahiri.

Ai tha se në rezolutën e propozuar, AAK-ja ka paraqitur masa konkrete, siç është ulja e akcizës dhe e TVSH-së, që sipas tij, mund të jenë masa të përkohshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi para deputetëve masat e ndërmarra nga Qeveria që ai udhëheqë. Ai tha se për të pasur një treg konkurrues, ekzekutivi ka rritur inspektimet në kompanitë private.

“Deri më sot janë ndërmarrë 251 inspektime dhe janë shqiptuar 30 gjoba nga ana e inspektorëve të tregut qendrorë dhe ata komunalë. Pra, Qeveria qendrore dhe lokale, bashkë në mbrojtje të qytetarit dhe mirëqenies. Ajo që po shihet qartë është se qytetarët nuk janë kundër taksave të shtetit, por kundër vjedhjes së xhepit. Qytetarët duan rend dhe zbatim të ligjit, rritje të inspektimeve dhe dënim të mashtruesve”, tha Kurti.

Së fundmi, çmimet e produkteve ushqimore, të disa shërbimeve dhe çmimet e naftës kanë shënuar rritje. Një litër naftë para disa ditësh shitej për rreth 1.70 euro, ndërkaq aktualisht ky çmim është rreth 1.50 euro. Çmimi i vajit më 9 mars ishte ngritur në 3.49 euro për litër nga rreth 2 euro sa ishte më 8 mars. Për shkak të dyshimeve se operatorët ekonomikë po bëjnë veprime për mashtrimin e konsumatorëve, Inspektorati i Tregut në Kosovë tha se ka mbyllur përkohësisht depo të operatorëve.

Për të ruajtur mundësinë nga çrregullimet në treg, Qeveria e Kosovës ka vendosur marzhë tregtare (çmim maksimal) vetëm për derivatet e naftës. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare duhet të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.

Po ashtu, ekzekutivi në fillim të marsit ka vendosur që bujqve t’iu subvencionet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro.

(Kosova Sot Online)