Çfarë tha Kurti sot në seancën ku po diskutohet rritja e çmimeve në Kosovë?
Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se sanksionet e Kosovës ndaj Rusisë kanë ndikuar në rritjen e çmimeve.
Në debatin parlamentar ku po diskutohet për ngritjen e çmimeve, kryeministri deklaroi se kjo është kostoja e solidaritetit me popullin ukrainas dhe të mbrojtjes së vlera demokratike perëndimore.
“Përtej kësaj, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sanksionimin e agresionit rus, dhe sanksionet kanë bërë që të ketë edhe më shumë ndikim në çmime. Një kosto e tillë ishte e pashmangshme, mirëpo kjo është kostoja e solidaritetit me popullin ukrainas dhe e mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore”, deklaroi Kurti para deputetëve.
Më tutje, Kurti tha se Kosova nuk është në pozitë të mirë për sa i përket luhatjes së çmimeve.
“Kosova nuk është në pozitë të mirë sa i përket luhatjes së çmimeve, sepse duke qenë ekonomi kryesisht importuese, luhatjet në çmime bëjnë që bashkë me importin e mallit të importojmë edhe rritjen e çmimeve, edhe koston e atij që na e sjellë mallin”, deklaroi Kurti.
Fjalimi i plotë:
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Të nderuar kabinet qeveritar
Qytetarë të Republikës,
Hapja e shpejtë e ekonomive vitin e kaluar bëri që kërkesa për konsum të tejkalonte aftësitë për prodhim e për shpërndarje.
Në fundvit patëm rritje enorme të çmimit të energjisë, i cili ndikoi në rritjen jo vetëm të faturave të energjisë, por edhe të një sërë produkteve të cilat varen nga ky çmim. E përderisa po përballeshim me krizën energjetike, që e nxiti ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore esenciale në treg, këtë vit kemi edhe invazionin rus e agresionin ushtarak në Ukrainë. Përveç tragjedisë për popullin ukrainas, në nivel global ka sjellë edhe rritje të çmimeve të energjisë dhe të karburanteve. Kjo pasi që Rusia është një prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në tregun botëror. Por edhe të vajit e të grurit, që në masë të madhe prodhohen në këtë rajon.
Energjia elektrike, që mundëson prodhimin, dhe nafta që mundëson transportin, njëra në fillim dhe tjetra në fund të zinxhirit të furnizimit me produktet që ne i konsumojmë, na i përcaktojnë në masë të konsiderueshme çmimet të cilat ne i shohim nëpër raftet e marketeve tona.
Përtej kësaj, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sanksionimin e agresionit rus, dhe sanksionet kanë bërë që të ketë edhe më shumë ndikim në çmime. Një kosto e tillë ishte e pashmangshme, mirëpo kjo është kostoja e solidaritetit me popullin ukrainas dhe e mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore.
Kosova nuk është në pozitë të mirë sa i përket luhatjes së çmimeve, sepse duke qenë ekonomi kryesisht importuese, luhatjet në çmime bëjnë që bashkë me importin e mallit të importojmë edhe rritjen e çmimeve, edhe koston e atij që na e sjellë mallin.
Këtë po e ndryshojmë edhe duke rritur subvencionimin për prodhimin e produkteve bazë, në këtë vit të parë në qeverinë tonë, me buxhetin tonë të shtetit. Qëllimi i këtij subvencionimi është qëndrueshmëria e bujqësisë vendore, për të mbuluar pjesën më të madhe të kërkesës agregate në vend, duke u çliruar kështu nga varshmëria prej importeve të shtrenjta.
Në këtë aspekt, në përputhje me zotimet tona, fillojmë me subvencionim të çmimit të naftës për bujqit, në vlerë prej 5 milionë euro. Pra, 36 centë për litër do të subvencionohet nafta për të gjitha kulturat, aq sa është akciza në naftë. Përpos naftës, bujqit do të subvencionohen edhe për plehërimin pranveror. 150 euro për hektar për grurin, kurse nga 100 euro për hektar për kulturat e misrit, patates dhe fasules.
Për grurin, përveç subvencionimit prej 150 euro për hektar, do të bëhet subvencionimi prej tre centë për kilogram për dorëzim në mulli të rendimentit të tyre. Në total, kulturën e grurit po e subvencionojmë katërfish, së pari për sipërfaqe, së dyti për plehërim pranveror, së treti për naftë dhe së katërti për rendiment. Pra, 474 euro për hektar, që i bie 324 euro më shumë se vitin e kaluar, ose një rritje prej 216 për qind.
Të nderuar deputetë,
Rritja e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari. Ne, si qeveri jemi duke punuar në vazhdimësi, që nga fillimi i mandatit qeverisës, që të mbështesim qytetarët e sidomos ata që janë më të cenueshëm. Krizat na prekin të gjithëve, ndonëse jo të gjithëve njësoj.
Qytetarët e njohin shumë mirë përpjekjen e qeverisë sonë për t’u dalë në ndihmë atyre.
Ne e kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë. Siç u dëshmua pak ditë më parë, ka të tillë që synojnë përfitim në emër të krizës. Madje fitimin e duan si super profit. Janë inspektuar e po vazhdojnë të inspektohen operatorë ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe në Graçanicë, është gjetur vaj për të cilët ka munguar dokumentacioni. Është gjetur vaj në sasi prej 100 mijë litrash.
E kjo në një kohë kur raftet ishin zbrazur në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. E çmimi për litër u kurdis në vlerë prej 3,49 euro. Pra, pasi që iu vjedhim, ua kthejmë 1 cent. Kjo është sikur kur plagës ia shton ofendimin. Përderisa nga e njëjta sasi e importuar, fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër. Rritja e tillë artificiale është zhvatje, që nuk bën të lejohet. Të gjithë ata shitës që manipuluan me çmimet në kurriz të qytetarëve duhet të ndëshkohen, e do të ndëshkohen. Çmimi prej 3,49 euro ishte hapur kurdisje.
Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj.
Deri me sot janë ndërmarrë 251 inspektime dhe janë shqiptuar 30 gjoba nga ana e inspektorëve të tregut të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe nga inspektorët e tregut nëpër komuna. Për menaxhim të kësaj situate, më së pari kemi rritje të inspektimeve, përmes bashkëpunimit me inspektoratin e komunave. Pra, qeveria qendrore e lokale bashkë, në mbrojtje të qytetarit dhe mirëqenies.
Janë inspektuar pikat shitëse me pakicë të naftës dhe të derivateve të naftës, me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë për përcaktimin e marzhës tregtare. Kemi përgjysmuar çmimin e biletës për autobusët e linjave ndërurbane, për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët, përgjatë kohës së krizës me çmime të larta të naftës.
Ajo që po shihet qartë, është se qytetarët nuk janë kundër taksave të shtetit, por kundër vjedhjes se xhepit. Qytetarët duan rend dhe zbatim të ligjit. Rritje të inspektimeve dhe dënim të mashtruesve. Qytetari ynë është solidar, qytetari ynë është mbështetës. Nuk po e don mashtrimin, nuk po e don kurdisjen e çmimeve, nuk po i don kartelet në ekonomi e në tregti.
Andaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm. Për çdo mashtrim të mundshëm, njoftojeni Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që të ndërmerren masa sipas ligjit. Po ashtu, presim nga bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme.
Organet kompetente, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Policinë e Kosovës – po e vëzhgojnë gjendjen, ndaj nuk ka vend për panik.
Më lejoni të theksoj masat e marra shtesë nga Qeveria
Në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, e patëm dyfishuar shumën e asistencës sociale. Po e vazhdojmë përgjatë gjithë këtij viti mbështetjen shtesë për 26 mijë familje me asistencë sociale. Në muajin nëntor, po ashtu ua kemi ndarë një shtesë prej 100 euro, 300 mijë pensionist marrësve.
Në vitin 2021, pensionet bazike i kemi rritë për 11%, kurse për personat me aftësi të kufizuara për 33%, e në vitin 2022 morëm vendim si Qeveri që kjo rritje të jetë e përhershme. Rreth 12 mijë nëna të reja marrin shtesa për lehona, kurse kemi mbi 142 mijë fëmijë në skemën e shtesave për fëmijë.
Kemi zotuar buxhet, që 600 mijë amvisëri të mbrohen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Vetëm në katër muajt e fundit kemi ndarë 190 milionë euro si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve.
Për kuzhinat popullore, mbështetje prej 1 milion euro. Deri më tani janë ndarë 150.000 shujta në 11 kuzhina.
Ndërkaq, sa u përket kalkulimeve për vlerën e pagës minimale, kjo dërgohet nga Komisioni për Paga, Çmime dhe Pensione i themeluar nga Këshilli Ekonomiko-Social. Në përcaktimin e pagës minimale merren parasysh këta faktorë: kostoja e shpenzimeve jetësore; përqindja e shkallës së papunësisë; gjendja e përgjithshme në tregun e punës, shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend, sipas nenit 57 të Ligjit të Punës.
Propozimi i dërguar nga ky komision përkatës në Këshillin Ekonomiko-Social ishte 240.2 euro. Përkundër kësaj, ne si Qeveri kemi propozuar që paga minimale të jetë 264 euro apo 1.5 euro për orë, madje kjo edhe për shkak se pas pagesës së kontributeve pensionale paga neto minimale është 250 euro.
Po ashtu, si Qeveri jemi duke punuar që paga 250 euro të mos tatohet nga tatimi në të ardhurat personale, duke realizuar kështu së bashku dy prej zotimeve tona si Qeveri.
Ju faleminderit!
(Kosova Sot Online)