Gjermanët nuk heqin dorë nga ngasja e shpejtë, pavarësisht çmimeve të larta të naftës

  • E. /
  • 16 March 2022 - 09:29
Gjermanët nuk heqin dorë nga ngasja e shpejtë, pavarësisht çmimeve të larta të naftës

Vozitja më e ngadaltë në autostradë kursen naftë. Por kjo metodë e thjeshtë pothuajse nuk përdoret në Gjermani – madje edhe tani, në një kohë kur çmimet e karburantit po rriten në mënyrë dramatike. Statistikat tregojnë zakone krejtësisht të ndryshme ngasjeje.

Sipas statistikave të trafikut, drejtuesit e mjeteve në Gjermani nuk po ngadalësohen, megjithëse çmimet e karburanteve po rriten. Deri më tani nuk ka rënie të ritmit të lëvizjes në autostrada. Këtë e tregojnë të dhënat e kompanive që mbledhin dhe sistemojnë të dhëna në fushën e transportit, si Inrix dhe TomTom, shkruan Deutsche Welle.

Sidomos në autostradë, konsumi i karburantit varet drejtpërdrejt nga shpejtësia me të cilën vozitni. Sipas Institutit Gjerman për Mbrojtjen e Mjedisit, me një shpejtësi prej 90 kilometrash në orë, vetura harxhon deri në 23 për qind më pak karburant sesa me shpejtësinë 110 kilometra në orë.

Sipas TomTom, ka dallime midis tendencave gjatë fundjavës dhe ditëve të javës. Në ditët e javës “nuk ka ndryshim në mënyrën e vozitjes në autostradat e vëzhguara për sa i përket shpejtësisë mesatare, pasi çmimet e karburanteve filluan të rriten”.

Mbi dy euro për litër

TomTom thekson se trafiku është edhe pak më i shpejtë se në mesin e muajit të kaluar. Megjithatë, ka të dhëna se numri i automjeteve është zvogëluar, gjë që përshpejton qarkullimin.

Aktualisht çmimi i karburantit në Gjermani ka kaluar dy euro për litër, pra është në një nivel të paprecedentë. Në dy javët e para të luftës në Ukrainë, çmimi u rrit pothuajse rregullisht me më shumë se dhjetë cent euro në ditë.

Sipas Klubit Gjerman të Automjeteve (ADAC), dizel është rritur me 64 cent që atëherë, dhe super E10 me 45 cent.

(Kosova Sot Online)