Biseda e komandantit me policët që merrnin ryshfet: Po e dh*** n’ta, po na prishni punën krejt
Në dosjen e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj policëve që u arrestuan në aksionin “Pika”, e që e ka siguruar T7, është edhe një bisedë e zhvilluar mes komandantit të stacionit dhe tre vartësve të tij për punën e ryshfetit.
Në këtë bisedë, komandanti Xh.L, i pyet zyrtarët policorë, XH.H, H.H dhe M.B, se pse po marrin para “kur po i lshoni bletë”.
Biseda duket se ka qenë pak e tensionuar. Madje, në një moment ai u thotë vartësve të tij se po i prishin punë.
Në bisedë e sipër, komandanti thotë se ai vetë s’i ka kërkuar asnjëherë para ose drekë dikujt.
“…n’jetë tem kuj si mora pare ti lshoj bletë as me i thanë am pare as drek qitëm…po po ja merrni paret burr e po e dh*** n’ta, po na prishni punën krejt aiii”, thotë komandanti, sipas dosjes.
Në fund të këtij diskutimi, njëri prej zyrtarëve e pranon se u kërkojnë qytetarëve që kalojnë kufirin që t’i qarosin me dreka.
“Nashta me hanger drek po a pare”, i thotë polici komandantit.
Pas kësaj, komandanti i kthehet dhe i thotë se jo vetëm dreka, por se u kërkojnë edhe para.
“Jo drek po edhe pare besa”, thotë komandanti.
XH.L ka pozitën e Togerit në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare-Perëndimi, me detyrë komandant i Stacionit Policor për mbikëqyrjen e Kufirit “Qafë-Morinë”.
Ndryshe, sipas dosjes së prokurorisë, policët përdornin metoda të ndryshme për t’i fshehur paratë e ryshfetit.
Zyrtari policor me inicialet Xh.H, dyshohet se i fshihte paratë e ryshfetit në qorape.
“Rreth orës 13:12 , zyrtari policor Xh.H, ndjerr nga qorapet dicka e që dyshohet paratë e marra më herët nga qytetari, ngrihet nga karriga duke thirur Rreshterin e i thotë “Mërgim që qitu ni leqenik se ti je (s‘kuptohet) ia dorëzon dhe kthehet sërish në karrige për të regjistruar kalimtarët e tjerë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Zyrtari tjetër policor, G.A, dyshohet se e fshihte ryshfetin në mes të këmbëve.
“Pasi që përfundon me palën zyrtari policor G.A i kthen dokumentet vozitësit me dorën e majtë i merr atë që kishte shti në mes të këmbëve që dyshohen se janë para dhe i shtinë në gjepin e majtë të pantallonave”, thuhet në dosje.
Polici H.P dyshohet se i fshihte paratë poshtë këmbeve të tij.
“…bën një veprim të dyshimtë ku dyshohet se nxjerr diçka nga dokumentet dhe lëshon poshtë këmbëve të tij (dyshohet të jenë të holla, por vlera e tyre nuk shihet)”, thuhet në dokument.
Tjetri polic me inicialet G.H, i fshihte paratë nën prehër.
“Zyrtari policor G.H vazhdon me kontrollimin e pasaportave dhe dokumentaionit tjetër në Pikë Kalimin Kufitar Qafë Morinë, ku pas pak ato që dyshohen të jenë para dhe të cilat i pranojë nga shoferi i cili kalojë pa u regjistruar, i tërheq nga nën prehri që i kishte lënë dhe i fut në xhepin e jaknes në anën e majtë të tij”.
Ndërkohë, një tjetër polic i fshihte paratë nën letër. Bëhet fjalë për të pandehurin me inicialet R.T.
“Rreth orës 07:59 i merr paratë që kishte vendos nën letër dhe i fut në xhep, ku i pranishëm ishte edhe zyrtari policor H.P”.
Ndryshe, veprat kryesore për të cilan janë arrestuar zyrtarët policorë dhe ata të doganës, është pranimi i ryshfetit dhe keqpërdorimi i pozitës së tyre zyrtare. Sipas akuzave, me marrjen e ryshfetit, policët e arrestuar kryesisht kanë lejuar kalimin e personave dhe kompanive pa paguar akcizën dhe detyrimet e tjera të parapara sipas ligjeve.
25 prej të arrestuarve kanë dalë dje para gjykatës, të cilëve u është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
Inspektorati i Policisë së Kosovës ka njoftuar se aksioni “Pika” është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.
(Kosova Sot Online)