Dështon zgjedhja e drejtorit të ri të RTK-së

  • A.P /
  • 22 March 2022 - 18:53
Dështon zgjedhja e drejtorit të ri të RTK-së

Në mungesë të bazës së qartë ligjore, Bordi i RTK-së e rikthen në pikën zero procesin e rizgjedhjes së drejtorit të RTK-së

Në mbledhjen e mbajtur me datë 22 Mars 2022, anëtarët e Bordit te RTK-së kanë votuar kundër secilit kandidat për pozitën e Drejtorit te RTK-së.

Një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të mungesës së bazës së qartë ligjore qe do te garantonte përfundimin e procesit.  Rrjedhimisht, për të evituar shkeljet ligjore, Bordi i RTK-së e ka përmbyllur procesin e konkursit duke mos  e votuar asnjë kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, duke mos paragjykuar profesionalizmin dhe vizionin e disa kandidateve për zhvillimin e RTK-se.

Bordi i RTK-se sqaron opinionin publik se historikisht gjatë procedurave për konkurse publike, RTK i është referuar Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. I njëjti Udhëzim Administrativ është përdorur edhe në konkurset për drejtorët paraprakë të RTK-së. Në të njëjtën kohë, zyra ligjore e RTK-së i ka rekomanduar bordit se i njëjti  proces mund të ndiqet edhe tani, pasi RTK-ja nuk ka dokument tjetër ligjor që mund ta përdorë për procedurën e konkursit për drejtor të përgjithshëm.

Gjatë zhvillimit të procedurës së konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, bordi ka vërejtur që zbatimi i këtij udhëzimi në këtë proces është problematik sepse parasheh procedurë të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, në shpërpushje me Ligjin për RTK-në.

Udhëzimi përcakton se vetëm tre (3) anëtarë mund të jenë në komisionin vlerësues dhe vlerësimin final ia dërgojnë bordit për aprovim, ndërkaq Ligji për RTK-në e thotë qartë se Drejtori i RTK-së duhet të emërohet me 2/3 të votave të anëtarëve të bordit dhe përcakton qartë se anëtarët e bordit nuk duhet të ndikohen nga asnjë palë në vendimin e tyre, pra as nga një komision i tillë prej tre anëtarëve. Megjithatë, duke zbatuar dhe respektuar Ligjin për RTK-në, bordi ka vendosur që të gjithë anëtarët të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit. Një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në të kaluarën. Por, duke shikuar këtë praktikë, bordi ka hasur edhe në anomali tjera ligjore përgjatë procesit.

Në proceset e njëjta të bordeve të kaluara, të gjithë anëtarët kanë qenë në komisionin vlerësues, dhe po të njëjtit anëtarë kanë qenë edhe në komisionin për shqyrtimin e ankesave. Duke mos pasur asnjë rrugëdalje tjetër ligjore, kjo për bordin aktual është e papranueshme, sepse është shkelje ligjore që i njëjti komision të vlerësojë kandidatët dhe i njëjti të shqyrtojë ankesat eventuale të tyre. Prandaj, Bordi konsideron se kjo praktikë ka qenë dhe është në mospërputhje me Ligjin për RTK-në dhe Udhëzimin Administrativ të lartcekur.

Për më tepër, pothuajse në të gjithë hapat, Udhëzimi Administrativ është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në dhe është e pamundur të zbatohen të dy këto dokumente në këtë konkurs në mënyrë të rregullt. E për Bordin e RTK-së është prioritare të respektohet Ligji i RTK-së, pavarësisht mangësive të shumta që i ka.

Duke pasur si qëllim bazë kthimin e ligjshmërisë në RTK dhe respektimin e legjislacionit aktual, Bordi konsideron se nuk ka bazë të duhur ligjore e cila do të siguronte zgjedhjen e drejtorit në mënyrë të rregullt dhe pa çështje të kontestuara ligjore. Rrjedhimisht, Bordi në asnjë rrethanë nuk mund të zgjedh drejtorin e RTK-së duke mos respektuar procedurat ligjore ose duke mos i sqaruar ato në tërësi duke shmangur çdo paqartësi dhe duke siguruar transparencë dhe ligjshmëri të plotë.

Si përfundim i këtij procesi, Bordi nuk ka emëruar asnjërin nga pesë kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, pasi një emërim i tillë nuk siguronte qartësi të plotë procedurale dhe ligjore.

Bordi menjëherë do të kërkojë nga menaxhmenti krijimin e një grupi punues për krijimin e një rregulloreje të veçantë, e cila do të jetë në përputhje të plotë me Ligjin për RTK-në dhe brenda një afati kohor sa më racional do ta rishpallë konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së. Drafti i kësaj rregulloreje do të diskutohet edhe me shoqërinë civile dhe me sindikatat e RTK-së.

Deri në rishpalljen e konkursit dhe emërimin e drejtorit të ri, z. Shkumbin Ahmetxhekaj e ka besimin e plotë të bordit që të vazhdojë ushtrimin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

(Kosova Sot Online)