Supremja po e shqyrton pjesëmarrjen e kryetares së Gjykatës në takimin me Vuçiqin

  • A.P /
  • 23 March 2022 - 18:37
Supremja po e shqyrton pjesëmarrjen e kryetares së Gjykatës në takimin me Vuçiqin

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 22 mars në Beograd. Kështu konfimoi të mërkurën KGJK-ja.

Më herët gjatë ditës në një konferencë për media, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se i vjen keq për pjesëmarrjen e Stevanoviqit në një takim të tillë dhe i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të ndërmarrë veprime për këtë rast.

“Gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave në Republikën e Kosovës duhet të sillen me integritet të lartë moral dhe profesional. Çdo pjesëmarrje në një takim të tillë e cenon këtë integritet”, tha ajo.

Rel ka tentuar që të marrë një reagim nga Lilana Stevanoviq, por ajo është përgjigjur se “nuk ka kohë”.

Ndryshe, më 22 mars në Beograd, presidenti serb, Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës, me të cilët bisedoi për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Më 3 prill, Serbia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare dhe serbët e Kosovës, sipas Vuçiq, do të votojnë në komunat në Serbinë Qendrore.

 (Kosova Sot Online)