E filloi e fundit vaksinimin, MSh: Kosova ia ka dalë që të ketë shkallë më të lartë të vaksinimit se shtetet e rajonit

  • E. /
  • 29 March 2022 - 08:50
E filloi e fundit vaksinimin, MSh: Kosova ia ka dalë që të ketë shkallë më të lartë të vaksinimit se shtetet e rajonit

Sot kur janë bërë një vit nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se Kosova ia ka dalë që të ketë shkallë më të lartë të vaksinimit se shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë dhe shtete të tjera, pavarësisht se është e fundit që ka filluar me vaksinimin.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ministria ka dhënë informacione për dozat e administruara deri tash dhe grupmoshat që janë vaksinuar.

“Me mbi 1.820.000 doza të administruara, vaksinimi te popullata mbi 18 vjeçe në Kosovë ka arritur në 70% me një dozë dhe 63.4% me dy doza.

Te popullata mbi 12 vjeçe, janë vaksinuar 62.7% me një dozë dhe 57.1% me dy doza. Sfidë mbetet vaksinimi me dozën e tretë, ku vetëm rreth 7% e popullatës mbi 12 vjeçe e kanë marrë atë”, thuhet në njoftim.

Ministria ka alenderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procesit të vaksinimit si dhe donatorët që ndihmuan Koosvën për sigurimin e vaksinave.

“Një vit pas, Ministria e Shëndetësisë i falënderon të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 përmes Komitetit për Imunizim, Ekipit menaxhues dhe ekipeve vetëmohuese të vaksinimit në 30 komuna të Kosovës, për kontributin që kanë dhënë në shpëtimin e shumë jetëve të njerëzve tonë.

Gjithashtu, edhe donatorët që përmes mekanizmave të ndryshëm ndihmuan Kosovën për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe qëndrueshmërinë e suksesin e këtij procesi”, thuhet në postimin e Ministrisë.

(Kosova Sot Online)