Gërvalla: Demarkacioni me Malin e Zi s’ka përfunduar, do ta përmbyllim kur rajoni të jetë më i qetë

  • E. /
  • 01 April 2022 - 08:12
Gërvalla: Demarkacioni me Malin e Zi s’ka përfunduar, do ta përmbyllim kur rajoni të jetë më i qetë

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, ka thënë se demarkacioni me Malin e Zi nuk ka përfunduar.

Gërvalla tha se kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të dyja vendeve.

Ajo në një intervistë për gazetën “Vijesti” theksoi se Qeveria e Kosovës është e bindur se kjo çështje do të përmbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme në një kohë më të favorshme dhe kur rajoni të jetë më i qetë, përcjell Klankosova.tv.

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar. Kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të dy vendeve, gjë që ende nuk është bërë. Raporti fillestar për punën e komisioneve të dyja vendeve në Kosovë ngjalli reagime serioze në opinion dhe në institucione”.

Kryediplomatja e Kosovës shtoi se komisioni i krijuar nga Qeveria e Kosovës, pretendon se ka konstatuar shkelje të rënda në punën e komisionit të parë.

“Një deklaratë e përbashkët e ish-presidentit të Kosovës Thaçi dhe presidentit malazez Gjukanoviq, e cila lejon rishikimin e procesit dhe korrigjimet e mundshme në dy drejtime, Çakor dhe Kullë, i mundësoi Kuvendit të Kosovës të votojë për tre dokumentet në pako si të barabartë. Jemi të bindur se këtë çështje do ta përmbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme në një kohë më të favorshme dhe kur rajoni të jetë më i qetë”.

Donika Gërvalla ka folur edhe për luftën në Ukrainë.

Sipas saj nëse kjo nuk përfundon shpejt reflektimet e saj përbëjnë një kërcënim për stabilitetin dhe paqen edhe në Ballkan, duke vënë në dukje ambiciet e Serbisë për zgjerim.

“Pra, vetëm të bashkuar nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe nën mbrojtjen e NATO-s, të gjithë do të jemi më të sigurt, do të kemi mundësinë të jemi më të zhvilluar dhe të ndajmë vlerat dhe interesat e përbashkëta”.

Ndër temat që i ka prekur Gërvalla është edhe Ballkani i Hapur.

Ministrja e Jashtme e Kosovës tha se këtë nuk mund ta kuptonin asnjëherë ndryshe veçse si aspiratë e Serbisë për dominim politik dhe ekonomik mbi vendet e rajonit.

“Çfarë flet Serbia për Ballkanin e Hapur kur nuk i hap kufijtë as për kufomat e njerëzve që vrau në luftën e përgjakshme në Kosovë 23 vjet më parë? Serbia duhet së pari të kërkojë falje për gjenocidin që ka kryer në Kosovë, si hap i parë i vullnetit të mirë”.

“Kosova nuk do të jetë pjesë e asnjë nisme ku nuk është e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të asaj nisme. Për të mos thënë, nuk do të jetë pjesë e projekteve që synojnë sigurimin e dominimit serb dhe zëvendësimin e integrimit evropian apo të procesit të Berlinit. Pas rreshtimit të Serbisë me Rusinë pas pushtimit rus të Ukrainës, mendojmë se duhet të jetë e qartë për vendet që iu bashkuan projektit, se tashmë është një projekt i dështuar që për fat të mirë dështon që në fillim”.

(Kosova Sot Online)