Skandali me 20 mijë litra naftë të “EXFIS”-it, Ministria fajëson Doganën

  • A.P /
  • 01 April 2022 - 18:34
Skandali me 20 mijë litra naftë të “EXFIS”-it, Ministria fajëson Doganën

Plot 20 mijë litra naftë me cilësi jashtë standardeve të tregut hynë në Kosovë javën e kaluar. Dy rezervuarët me naftë të importuar nga kompania “Ex Fis” u bllokuan në doganë, para se të ato liroheshin pas një justifikimi të kompanisë që ndërlidhej me KFOR-in. Ministria e Tregtisë e ka fajësuar Doganën. Kjo e fundit, bashkë me kompaninë, kanë heshtur. 

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po e fajëson Doganën e Kosovës për lejimin e tregtimit të 20 mijë litrave naftë me cilësi të dyshimtë, të cilën e zbuloi mediumi online Paparaci.

20 mijë litra naftë të tregtuara nga “Ex Fis” Sh.P.K u bllokuan në Doganë e më pas u liruan nën arsyetimin e kompanisë që do të shfrytëzoheshin për nevojat e KFOR-it.

Për cilësinë jashtë standardeve të 20 mijë litrave naftë të “Ex Fis” Sh.P.K. është vënë në dijeni “Sierra Lab” Sh.P.K., trupa inspektuese e licencuar për kontrollin e cilësisë së naftës nga Ministria e Tregtisë.

Por, dikasteri i udhëhequr nga ministrja Rozeta Hajdari pretendon se Dogana e Kosovës është i vetmi autoritet kompetent për verifikimin e karburanteve para hyrjes në territorin e Kosovës.

“Dogana e Kosovës është kompetent për verifikimin e karburanteve që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Kosovës, kurse Inspektorati i Tregut është përgjegjës  për mbikëqyrjen e karburanteve në tregun e brendshëm”, tha Zyra për Media e MINT-it.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin të premten, Ministria po ashtu tha se gjatë javës ka inspektuar cilësinë e karburanteve në depotë e “Ex Fis”. Ka thënë se pas inspektimit është vlerësuar cilësia në përputhje me standardet e tregut.

“Në këtë rast Inspektorati i Tregut pas pranimit të njoftimit nga Laboratori Doganor, ka ndërmarr veprime për verifikim të cilësisë së karburanteve në depo të Operatorit Ekonomik në fjalë, me ç ‘rast ka rezultuar që karburantet janë në përputhje me vlerat e lejuara të përcaktuar me U/A.”, vijon përgjigja me shkrim nga MINT.

Paparaci të premten raportoi se një sasi prej 20 mijë litrave, të cilën kompania “EXFIS” e importoi nga rafineria OKTA në Shkup të Maqedonisë së Veriut më 7 mars, rezultoi të jetë naftë jashtë standardeve të përcaktuara me ligjet në fuqi në Kosovë.

Për më tepër, më 17 mars “Ex Fis” Sh.P.K kishte dërguar një kërkesë në adresë të doganës duke kërkuar që t’i lejohej importi i sasisë së bllokuar të naftës për nevojat e KFOR-it.

Megjithatë, sipas arsyetimit të kompanisë së derivateve KFOR-i e ka të lejuar përdorimin e naftës me pikë të ndezjes deri në 38 gradë celcius.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk i është përgjigjur në pyetjet e Paparacit rreth tentimit të kompanisë për importin e rreth 20 mijë litrave naftë jashtë standardeve të cilësisë.

Sidoqoftë, nga ministria nuk janë në dijeni nëse kjo sasi e naftës do të përdoret për nevojat e KFOR-it.

“Inspektorati i Tregut i MINT , nuk është njoftuar që ky karburant është lejuar për tregun e brendshëm apo për nevoja të NATO/KFOR”.

Gjithashtu, Paparaci ka dërguar pyetje edhe në adresën e KFOR-it për të sqaruar , por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje.

“Ex Fis”, një kompani private e cila operon në tregun e derivateve në Kosovë që nga viti 2005, posedon një kapital të vlefshëm 1.5 milionë euro, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.

Kompania është pronë e afaristit Isa Muharremi.

Gjithsej 46 njësi në formë të pikave të karburanteve përbëjnë rrjetin e shtrirjes së “Ex Fis” në territorin e Kosovës.

“EXFIS”, nuk është përgjigjur në pyetjet e Paparacit, e cila ka kërkuar sqarime rreth dyshimeve për destinacionin e sasisë së naftës me cilësi të dyshimtë.

(Kosova Sot Online)