Oda e Mjekëve i reagon ashpër Besnik Bislimit për krahasimin banal me mjekët gjermanë

  • E. /
  • 02 April 2022 - 13:02
Oda e Mjekëve i reagon ashpër Besnik Bislimit për krahasimin banal me mjekët gjermanë

Oda e Mjekëve të Kosovës i ka reaguar ashpër zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili tha se mjekët kosovarë po ikin nga vendi shkaku se mjekët gjermanë e braktisin Gjermaninë.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare në Facebook, Oda e Mjekëve ka thënë se ky është mohim i gjendjes.

“Në kushtet që punojnë mjekët kosovar, pasigurinë sociale të cilën e ballafaqojnë çdo ditë, vështirësitë nga më të ndryshmet, përfshirë këtu edhe rrezikshmëria në vendin e punës, të thuhet se mjekët kosovar migrojnë në Gjermani për shkak se mjekët gjerman braktisin Gjermaninë, është mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute njëkohësisht”, thuhet në reagim.

Sipas Odës, arsyet pse mjekët po e braktisin Kosovën janë kushtet e punës dhe pagat.

“Neglizhenca dhe nënvlerësimi i vazhdueshëm institucional që i është bërëe komunitetin mjekësor për vite me rradhë është shkak që sot vije deri te injorimi i fakteve të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë, siç është zhdukja dhe absorbimi i jashtëm i personelit shëndetësor në përgjithësi. Braktisja e mjekësve kosovar ka disa arsye themelore, e ndër to si më të rëndësishme janë kushtet e punës dhe ato socio-ekonomike që kanë të bëjnë me lartësinë e pagës”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Bislimi, ka vlerësuar se shkuarja e mjekëve të Kosovës në Gjermani ndodh për shkak të largimit të mjekëve gjermanë nga po ky vend.

Këto komente ai i bëri para Komisionit për Integrime Evropiane kur u përmend edhe largimi i mantelbardhëve kosovarë nga vendi.

“Kanë ikur mjekët gjithmonë në Kosovë dhe do të ikin gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, por se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë”, ka thënë Bislimi.

“Do të thotë edhe prej Gjermanisë ikin mjekët dhe shtrohet nevoja që me ardhë mjekët prej Ukrainës, Kosovës, Italisë”.

(Kosova Sot Online)