Dy shqiptar plagosen duke shpëtuar një grua nga grabitësit në New York

  • E. /
  • 07 April 2022 - 08:14
Dy shqiptar plagosen duke shpëtuar një grua nga grabitësit në New York

Babë dhe bir u plagosën të shtunën në New York, duke e shpëtuar një të moshuar nga grabitësit.

Rasti ndodhi në picerinë në lagjen Queens pronarë të së cilës janë dy shqiptarëve nga Ulqini, Louie Suljoviq dhe babai i tij Qazim Suljoviq.

Babai u godit me thikë nëntë herë dhe së bashku me djalin mori plagë të rënda në mushkëri.

E moshuara u godit gjithashtu me thikë në shpinë nga njëri prej grabitësve.

38 vjeçari shqiptar në një intervistë për Top Channel tregoi se si kishte ndodhur rasti.

Ai tha se do ta bënte sërish të njëjtën gjë sa herë që dikush do të ketë nevojë për ndihmë.

Louie Suljoviq theksoi se e viziton Shqipërinë sa herë që ka mundësi.

“Kam lindur në SHBA, babai i ka emigruar në Amerikë, babai na ka rritur në mënyrën e duhur për të bërë gjënë e duhur. Kam që në vitin 2020 pa ardhur, e kam vizituar çdo verë Shqipërinë. Preferoj Ulqinin, ku kam dhe të afërmit e mi”.

E moshuara u tha policëve se të dyshuarit i ishin afruar asaj nga prapa dhe pasi e kishin shtyrë ia kishin grisur çantën me thikë.

Babë e bir morën vlerësime nga Këshilli bashkiak, ndërkohë që për ta është hapur dhe një fondacion në GoFoundMe, për të ndihmuar në shërimin e Qazimit.

“Louie dhe babai i tij janë ndër qytetarët më të mirë që ka New Yorku. Ne i falënderojmë ata për trimërinë e tyre dhe iu urojmë shërim të shpejtë”, shkroi në Twitter policia amerikane.

(Kosova Sot Online)