Gratë ukrainase rrëfejnë tmerrin: Rusët na përdorën si mburoja të gjalla

  • E /
  • 07 April 2022 - 14:28
Gratë ukrainase rrëfejnë tmerrin: Rusët na përdorën si mburoja të gjalla

Trupat ruse kanë përdorur fshatarët në veri të Ukrainës si mburojë njerëzore duke tentuar që të mbrojnë veten e tyre nga një sulm i forcave ukrainase.

Një korrespodent i BBC-së, Jeremy Boëen, i cili raportoi për këtë, ka vizituar komunitetin në veri të Kievit që deri vonë ishte nën okupimin e forcave ruse.

Fshatarët nga Obukhovychi i thanë atij se natën e 14 marsit rusët po humbnin ushtarë dhe automjete të blinduara në një kundërsulm nga forcat ukrainase.

Trupat ruse më pas shkuan derë më derë për të grumbulluar rreth 150 persona nën kërcënimin e armëve dhe i mbajtën në një palestër të ftohtë të shkollës si mbrojtje për forcat ruse, thanë fshatarët.

Përdorimi i civilëve për të mbrojtur forcat e armatosura nga sulmet është kundër ligjit ndërkombëtar humanitar.

“Ata na morën nga bodrumet ku ishim fshehur dhe na detyruan të dilnim”, tha vendasja Lydmila Sutkova, një nga shumë personat e intervistuar.

“Gratë më të vjetra, fëmijët, të gjithë. Ishte e tmerrshme”.

Një grua tjetër, Maryana, tha se vajza e saj po përjetonte ende ankth që nga ajo natë në shkollë.

“Një vajzë dyvjeçare nuk duhet ta shohë këtë”, tha ajo.

“Kisha frikë se do të na pushkatonin të gjithëve në atë palestër. Kisha frikë për vajzën time, nuk kam fjalë”.

(Kosova Sot Online)