Xhaçka: Për Kosovën do të loboj në çdo takim, njohja dhe liberalizimi i vizave janë prioritet

  • E. /
  • 09 April 2022 - 15:23
Xhaçka: Për Kosovën do të loboj në çdo takim, njohja dhe liberalizimi i vizave janë prioritet

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka theksuar se njohja dhe liberalizimi i vizave të Kosovës mbeten prioritet i qeverisë shqiptare.

Këtë deklaratë kryediplomatja shqiptare e dha gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste.

“Kosova është një çështje që e ngre në çdo takim bilateral për të lobuar për njohjen dhe mbështetjen e saj apo për njohjen dhe pranimin në organizata ndërkombëtare”, tha fillimisht ajo.

Sipas saj, Kosova mbetet një çështje që është ngritur edhe në Bashkimin Evropian “duke denoncuar padrejtësinë që i bëhet Kosovës sot duke e izoluar në mes të Evropës pa mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave”.

“Kosova është gjithmonë aty dhe gjithmonë para secilit vendim shtrohet pyetja si do të ndikojë kjo te Kosova”, shtoi Xhaçka.

Në vijim, ministrja sqaroi se Kosova është një çështje prioritare edhe në punën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

“Po punojmë pa u lodhur jo vetëm sa i përket pakësimit të raportimeve të UNMIK-ut në Këshill por edhe për të zgjeruar marrëdhëniet me ato vende si përshembull në Afrikë”, qartësoi ministrja më tej.

Duke iu kthyer nismës Open Balkan, ministrja u shpreh se “Kosova për ne është e shenjtë”.

“E vërteta është shumë e thjeshtë dhe ka dy anë”, tha Xhaçka.

Sipas zyrtares, kjo nismë përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit.

Zgjidhja, shtoi ajo, kalon detyrimisht nga bashkëpunimi dhe integrimi pasi ky është dimensioni strategjik i kësaj nisme.

(Kosova Sot Online)