Këshilltari i Presidentes i reagon Valdete Dakës pas deklaratave
Artan Murati nga Presidenca thotë se raporti i Departamenti amerikan i Shtetit nuk e ka quajtur shkarkimin e Valdete Dakës si politikisht të motivuar. Këtë “sqarim”, Murati e shkroi pasi ish-kryetarja e KQZ-së tha se raporti i DASH-it e konfirmon se shkarkimi i saj ka qenë “i motivuar politikisht”.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, për Kosovën, mbi të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera ka përmendur shkarkimin e ish-kryetarës së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Dakës, nga Presidentja Vjosa Osmani, vitin e kaluar.
Këshilltari i Presidentes, Artan Murati, thotë se DASH nuk e ka quajtur këtë vendim të Osmanit “të motivuar politikisht”.
“Raporti i DASH-it nuk e ka quajtur vendimin e Presidentes së Republikës për ndërprerjen e mandatit të kryesueses së KQZ-së si politikisht të motivuar, por nënvizon qëndrimet e palëve sa i përket këtyre ngjarjeve, përfshirë opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile. DASH-i nuk ka bërë asnjë vlerësim të procesit”, ka shkruar Murati.
Daka i ka thënë sot se raportet ndërkombëtare, edhe ky i DASH, kanë konfirmuar se shkarkimi i saj ka qenë hakmarrës dhe politikisht i motivuar.
“DASH-i vetëm e ka vërtetuar atë që e kam thënë. Shkarkimi im ka qenë politikisht i motivuar”, ka thënë Daka.
(Kosova Sot Online)