Armend Zemaj propozon Projektligjin për shëndetësi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka dorëzuar në Kuvend propozimin për projektligjin e ri për shëndetësi.
Zemaj në një konferencë për media ka treguar edhe disa nga çështjet që i trajton kjo nismë.
E këtë projektligj ai tha se e kanë punuar së bashku me profesionistë shëndetësorë.
“Propozon sistem funksional shëndetësor dhe të zbatueshëm që është qenësor përmes ligjit dhe harmonizimit të shëndetit parësor me sistem unik të vendit. Decentralizon dhe bën të zbatueshëm sistemin dytësor shëndetësor, funksionalizon pavarësinë e shërbimeve shëndetësore në nivel tretësor përmes QKUK, barazon në mënyrë të zbatueshme sistemin publik, publiko-privat dhe privat përmes përcaktimit të mënyrës së funksionimit të institucionit. Dhënies së lejes së përhershme për ofrim të kujdesit për institucionet private,” këto e të tjera ishin mes çështjeve që përmendi Zemaj.
Deputeti Zemaj po ashtu tregoi se projektligji përmban 128 nene. Ai tha se prokejtligji do të jetë lehtë i zbatueshëm, në dobi të qytetarëve.
“Sot e kemi dërguar në zyrën për parashtresa si nismë legjislative dhe presim përkrahje dhe miratimin e tij. Jemi të gatshëm jo vetëm të japim kritika por edhe të kontribuojmë në avancimin legjislativ për sistem më të mirë”, ka thënë më tutje ai.
(Kosova Sot Online)