Presidenca reagon pas sulmeve në veri ndaj Policisë së Kosovës
Presidenca e Kosovës ka reaguar pas sulmeve të vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe përpjekjeve për të penguar operimin e policisë në atë pjesë të vendit, duke thënë se sulmet janë kryer nga struktura kriminale.
Nga Presidenca thonë se sulme të tilla synojnë të destabiliziojnë situatën e sigurisë dhe atë politike në vend, por theksojnë se përpjekje të tilla do dështojnë.
“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kanë kryer disa sulme kundër Policisë së Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Sot ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media njoftuar se pjesëtarë të policisë janë sulmuar katër herë për tri ditë. Sulmet u bënë me granata, pushkë AK-47, si dhe metoda të tjera si përdorimi i iriqëve metalikë të vendosur në rrugët ku do të kalonin patrullat policore.
(Kosova Sot Online)