A e ka ndryshuar vërtet rendin global lufta Rusi-Ukrainë?

  • E. /
  • 16 April 2022 - 11:03
A e ka ndryshuar vërtet rendin global lufta Rusi-Ukrainë?

Në vitin 1989, sociologia amerikane Janet Abu-Lughod parashikoi se epoka e hegjemonisë perëndimore do të zëvendësohej nga “një rikthim në ekuilibrin relativ të qendrave të shumta të pushtetit si ato në sistemin botëror të shekullit XIII-të”.

Mund të jetë ende shumë herët për të vlerësuar se deri në çfarë mase janë të vërteta parashikimet e Abu-Lughod. Por nuk është e tepërt të pretendohet se brezat e ardhshëm do ta konsiderojnë luftën Rusi-Ukrainë si një nga momentet domethënëse në ndryshimin e ekuilibrit të pushtetit nga Perëndimi në Lindje.

Ri-balancimi midis fuqive të mëdha ndërkombëtare, është shoqëruar gjithnjë me shfaqje të mëdha dhe epokale të dhunës. Gjithsesi ekzistojnë disa dallime të qarta në krahasim me epokat e mëparshme historike. Më e rëndësishmja: bota po përjeton aktualisht një rritje eksponenciale të popullsisë (e cila u dyfishua midis viteve 1969-2012), ndryshimeve të klimës, humbjes së bio-diversitetit dhe dëmtimit të habitateve natyrore.

Dhe këto nuk janë ngjarje të paparashikueshme periferike, por procese me ndikim që do të luajnë një rol të rëndësishëm në ri-përcaktimin e rendeve globale dhe qendrave të pushtetit që qëndrojnë në themelin e tyre.

E megjithatë, deri më sot shqetësimet në lidhje me klimën nuk janë ende në gjendje të formësojnë rendet globale dhe rikthimi tek qymyri dhe gazi nuk duket se mund të ndikojë në këtë aspekt. Përkundrazi ideja e “sferave të ndikimit” vazhdon që të luajë një rol kyç.

Për shembull, më 1 shkurt 2018, Sekretari i atëhershëm i Shtetit Rex Tillerson, deklaroi se Doktrina Monro e vitit 1823 është “po aq e rëndësishme sot sa ishte edhe ditën që u shkrua”.

Gjatë 70 viteve të fundit, kjo doktrinë që i paralajmëroi fuqitë e tjera se Shtetet e Bashkuara nuk do të toleronin ndërhyrjen e asnjë fuqie të jashtme në “çështjet amerikane”, ka ndikuar në shumicën e politikave në Uashingtonit, në atë që ky i fundit e konsideron si sferën e tij më të afërt të ndikimit.

Për shembull, dhjetëra qeveri në Amerikën Qendrore dhe Jugore janë rrëzuar ose bombarduar nga administratat e njëpasnjëshme amerikane. Kuba, që në vitin 1950 renditej e pesta përsa i përket të ardhurave për frymë në hemisferën perëndimore, është ndoshta shembulli më interesant se si koncepti i një “sfere ndikimi” është konceptuar dhe imponuar në hemisferën amerikane.

Sidomos në rastin e Shteteve të Bashkuara – që ka mbi 750 baza ushtarake në 80 vende, dhe që përfaqësojnë 85 për qind të të gjitha bazave ushtarake jashtë shtetit – “sferat e ndikimit” shtrihen shumë përtej hemisferës së saj.

Gjatë dekadave të fundit, një përqindje e konsiderueshme e udhëheqësve politikë afrikanë dhe aziatikë janë përpjekur që ta kundërshtojnë një epërsi të tillë, por ose janë rrëzuar dhe mposhtur ushtarakisht, ose janë izoluar dhe bojkotuar nga Shtetet e Bashkuara.

Është një model që është ushqyer vazhdimisht nga sloganet, të cilat në forma të ndryshme dhe shpesh të mbivendosura, kanë folur shpesh në emër të instinkteve të brendshme të miliona amerikanëve: “është një betejë midis së mirës dhe së keqes”, “ata na urrejnë për shkak të vlerave tona”, apo “Ne po përballemi me fundin e historisë”.

Por ndërsa Shtetet e Bashkuara e dënojnë shpesh agresionin kundër shteteve të huaja – si në Ukrainë, Irak ose Jemen – ato hedhin ndërkohë poshtë legjitimitetin e sferave të ndikimit, si të këtyre vendeve po ashtu edhe të të tjerëve.

Nga njëra anë, kjo është një kujtesë e nevojës për të përqafuar një kuptim më koherent të politikës globale, dhe nga ana tjetër, për të kuptuar se “rendi botëror Atlantik“ nuk është më i qëndrueshëm, dhe po refuzohet nga një përqindje e madhe e njerëzimit.

është kjo arsyeja pse vendet afrikane (1.2 miliardë njerëz), India (1.4 miliardë) dhe Kina (1.4 miliardë) nuk iu bashkuan Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e saj kriminal dhe të poshtër të Ukrainës.

Procesi i ngadalshëm dhe i mundimshëm i afrimit midis 2 vendeve më të populluara në botë – i konfirmuar nga vizita e Ministrit të Jashtëm të Kinës ëang Yi në Nju Delhi më 24 mars – si dhe rreshtimi i Iranit me Kinën, pasqyrojnë dy nga shembujt më të fundit të një ekuilibri të ri gjeopolitik dhe të përpjekjes për të nxitur një “ ri-globalizim selektiv”.

Objektivi i këtij ri-globalizimit selektiv, është të arrijë një ri-konfigurim makro-rajonal të ekonomisë botërore që zbeh dominimin e dollarit amerikan dhe që zbut sanksionet reciproke të vendosura nga ekonomitë kryesore.

Ndërsa e pranojnë se lufta që po ndodh sot në Ukrainë është e paligjshme dhe e pamoralshme, shumica e kryeqyteteve aziatike e konsiderojnë konfliktin, sipas fjalëve të analistit indian Shivshankar Menon, si një luftë “mbi rendin e sigurisë evropiane, dhe jo një konflikt epokal global”.

Po ashtu, përfaqësuesit politikë të vendeve më të populluara të botës (dhe jo vetëm “disa vende autokratike”) janë gjithnjë e më kritikë ndaj sistemit financiar global (95 për qind e rezervave monetare globale mbahen në monedhat perëndimore) dhe po mbrojnë idenë e një ri-organizimi të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Vladimir Lenini tha dikur se “Ka dekada kur nuk ndodh asgjë, dhe ka javë kur ndodhin gjëra që nuk kishin ndodhur ndër dekada”. Ngjarjet e muajit të kaluar duket se janë një konfirmim i fuqishëm i këtij koncepti. E megjithatë, pushtimi i Ukrainës, siç pretendojnë shumë analistë, nuk ka “ndryshuar gjithçka”.

Në lidhje me rendet globale, ndryshimi më kuptimplotë është ndoshta fakti se një numër në rritje analistësh perëndimorë më në fund po ndërgjegjësohen për fundin e një “rendi” i cili sipas Andrew J. Bacevich, “ekzistonte kryesisht në mendjet e vëzhguesve perëndimorëve dhe jo botën reale”.

Në botën reale, ose në atë që po merr formë, problemi nuk janë ata që dënojnë me vendosmëri të gjitha sferat e ndikimit dhe të gjitha format e agresionit, por ata që përdorin terma të qartë dhe të ashpër vetëm kur sferat e influencës, rendet gjeopolitike dhe luftërat i prekin interesat e tyre.

(Kosova Sot Online)