Presidentja Osmani deklarohet për rastin e ambasadorit Martin Berishaj

  • E. /
  • 22 April 2022 - 12:27
Presidentja Osmani deklarohet për rastin e ambasadorit Martin Berishaj

Presidentja Vjosa Osmani, në konferencën për media me homologun nga Letonia, Egils Levits, ka folur për rastin e ambasadorit Martin Berishaj i cili u përfol në një skandal financiar në Slloveni sipas një storje televizive të një televizioni slloven. Osmani ka thënë se është për keqardhje që konstatohet diçka për ambasadorin Berishaj pa u konstatuar nga organet e drejtësisë. Ajo tha se pyetja e gazetarit s’ishte pyetje por konstatim kur u pyet nga gazetari në konferencë.

“Sa i përket pyetjes që në fakt nuk ishte pyetje por konstatim, është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Kosovës por që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht ësht shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugë ligjore. Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësisnë sepse janë kompetenca të presidentes pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha ajo para gazetarëve.

Presidentja Osmani tutje u shpreh se për demokracinë përveç tanket janë të rrezikshme edhe dezinformatat duke e cituar presidentin amerikan Joe Biden.

“Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)