![Trump: Zelensky do të përfshihet në bisedimet për paqe](/uploads/kosova-sot/images/2024/October/18/200x200_TRump_dhe_zelensky1729238806.png)
Pse u fjalosën Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu sot në mëngjes?
![Pse u fjalosën Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu sot në mëngjes?](/uploads/kosova-sot/images/2022/April/19/auto_Glauk-Konjufca-600x3601650361995.png)
Përplasje të ashpra dhe me ofendime kanë ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës, por edhe ndërmjet kryetarit të Kuvendit dhe ministres së Drejtësisë. Mëngjesi në seancën e sotme, nisi me përplasjen mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Përderisa deputetët opozitarë të PDK-së nisën të godisnin tavolinat në shenjë proteste ndaj Haxhiut, e cila nuk ia lejonte radhën Tahirit për të folur, erdhi ndërhyrja e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Ministre, ministre…”, dëgjohet duke e thirrur Konjufca disa herë ministren Haxhiu, e cila refuzon të ndalet së foluri.
“Me mirëkuptimin tuaj, a ia japim fjalën opozitës?”, pyet Konjufca Haxhiun.
Megjithatë, një reagim i papritur vjen nga Haxhiu ndaj Konjufcës, me të cilin vijnë nga e njëjta parti.
“S’është në rregull me ra në presion të opozitës. Nuk kanë të drejtë, unë e kam fjalën time”, i reagon Haxhiu Konjufcës.
“P’e di, po…”, nis të flas Konjufca, i cili sërish ndërpritet nga Haxhiu.
“Unë e kam fjalën time, kryetar dhe nuk lëvizi pa e kry fjalën”, ndërhyn ajo.
Haxhiu vazhdon të rrijë te foltorja edhe për disa momente, përderisa goditjet e tavolinave vazhdojnë nga deputetët e PDK-së. Pas pak, megjithëse me vështirësi, gjendet një dakordancë mes Haxhiut e Konjufcës për t’ia lënë radhën PDK-së për të folur.
(Kosova Sot Online)