Kurti në përvjetorin e Masakrës së Studimes: Asnjë i dënuar për vrasjet e 116 civilëve shqiptarë

  • E. /
  • 02 May 2022 - 15:42
Kurti në përvjetorin e Masakrës së Studimes: Asnjë i dënuar për vrasjet e 116 civilëve shqiptarë

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në përvjetorin e Masakrës së Studimes ku 23 vjet më parë janë vrarë 116 civilë shqiptarë nga forcat serbe.

Kurti aty ka mbajtur një fjalim duke thënë se 23 vjet pas masakrës së nuk ka asnjë të dënuar.

Më poshtë fjalimi i plotë:

Të dashur familjarë të martirëve dhe të dëshmorëve të kombit,

I nderuari Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, z.Ferit Idrizi,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Besim Muzaqi, Gazmend Gjyshinca, Rrezarta Krasniqi, Fjolla Ujkani e Ganimete Musliu,

Veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar dhe nderuar ata të cilët më s’janë me neve, dhe ata që përtej dëmeve të shkaktuara e kanë parë tmerrin me sy, e janë sot këtu me neve.

Vushtrria ka vuajtur e humbur shumë gjatë luftës. Ka pësuar shumë dhimbje. Ende ka shumë pikëllim. Duke nisur nga masakrimet në Reznik, vrasjet në Kunovik, plagosjet e rënda të Grabanicëve, maltretimet në Burgun e Smrekonicës, masakrimin e familjes së Selatin Gërxhaliut, e deri te masakra e Studimes të cilën e kujtojmë sot.

Kush e ka përjetuar luftën fizikisht nga këtu, i kujtohet që kah prilli i vitit 1999, qytetarët e Vushtrrisë po zhvendoseshin sepse po dëboheshin. Një pjesë nëpër vende që dukeshin më të sigurta në Kosovë, një pjesë në Shqipëri – e një pjesë pati mbetë në zonat përreth deri më 2 maj.

Forcat paramilitare serbe, por edhe ato policore e ushtarake, nisën djegjen e fshatrave, erdhën deri në Studime të Epërme. Me arritjen këtu, forcat kriminale të Serbisë nisën terrorin përmes shkatërrimit të mjeteve të udhëtimit, e dikur në mbrëmje filluan me vrasjet dhe masakrimet e shqiptarëve civilë.

U vranë 116 civilë, përfshirë këtu edhe fëmijë e gra. Krejt kjo ka ndodhur prej orës 20 deri në ora 21 të mbrëmjes.  Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por te i gjithë populli.

Idriz Popova, një prej dëshmitarëve të masakrës tregon që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë mundur. Ai tregon sesi ai bashkë me fshatarët i kanë varrosur për tri ditë rresht ata.

Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër – e bën këtë masakër edhe më të rëndë. E ajo që rëndon edhe më tepër, është se sot, 23 vjet pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikënd për këtë masakër. Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Vetëm heshtje.

Në anën tjetër, luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale.

Por, ja ku ndodhemi, 23 vjet pas luftës, pa asnjë të dënuar për masakrën e Studimes.

Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë,  është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi,  janë edhe deputetët e asamblistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë.

Për hajr e urime Fitër Bajrami të gjithëve e lavdi martirëve e dëshmorëve të kombit.

(Kosova Sot Online)