Shefi i BE-së: U bëj thirrje institucioneve të Kosovës t’i përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve që u bëhen mediave

  • 03 May 2022 - 12:09
Shefi i BE-së: U bëj thirrje institucioneve të Kosovës t’i përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve që u bëhen mediave

Për raportim të besueshëm dhe të baraspeshuar, si shtylla e katërt e demokracisë, mediat duhet të jenë të lira, pluraliste dhe profesionale dhe duhet të gëzojnë sigurinë dhe lirinë e palëkundur të shprehjes, tha sot ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Ai ka thënë se çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ai theksoi se Raporti i BE-së për Kosovën 2021 pranon se Kosova përfiton nga një mjedis mediatik pluralist dhe dinamik por që shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e njollosjes publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar”, tha Szunyog, bëhet e ditur në njoftimin për media. Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve dhe formave të tjera të presionit ndaj mediave dhe përgëzoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për rolin e tij në mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së shprehjes.

Duke iu referuar fushatës së dezinformimit që buron nga agresioni rus kundër Ukrainës, ambasadori Szunyog theksoi nivelin e lartë të profesionalizmit të shumicës së mediave të Kosovës në raportimin për luftën në Ukrainë dhe përshëndeti gatishmërinë e Kosovës për të pritur gazetarë ukrainas në këto kohë të vështira, Ai theksoi me shqetësim se mungesa e vetë-qëndrueshmërisë financiare të mediave në Kosovë u përkeqësua edhe më tej nga pandemia COVID-19, duke e lënë atë të cenueshme ndaj interesave politike dhe afariste, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik.

Ambasadori Szunyog përshëndeti miratimin e kohëve të fundit nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Ndihmë Juridike Falas i cili, për herë të parë, do t’u shërbejë edhe profesionistëve të mediave. “Miratimi i Ligjit për Ndihmën Juridike Falas nga Kuvendi ishte një hap në drejtimin e duhur për të siguruar lirinë e mediave në Kosovë, dhe BE-ja nga ana e saj do të vazhdojë të financojë, mbështesë dhe të punojë në nismat që kontribuojnë në profesionalizimin e mëtejshëm dhe qëndrueshmërinë e mediave”, tha Szunyog.Ndihma e vazhdueshme e BE-së për sektorin e mediave në Kosovë arrin në 2 milionë euro, ndërsa 13.5 milionë euro shtesë janë ndarë për të mbështetur lirinë e mediave në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës 2021-2023.

(Kosova Sot Online