“Forbes”: Pse Turqia mund të bëhet streha e re për oligarkët rusë që u shmangen sanksioneve
Kur sanksionet perëndimore filluan të godasin oligarkët rusë pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, shumë nga ata i zhvendosën jahtet e tyre jashtë Bashkimit Evropian dhe territoreve britanike për t’i shpëtuar rrezikut të sekuestrimit. Disa shkuan në Dubai, të tjerët në Maldive.
Tani, destinacioni më popullor për jahtet e oligarkëve rusë është Turqia. Të paktën 8 jahte – duke përfshirë jahtet “Eclipse” me vlerë 438 milionë dollarë dhe “Solaris” me vlerë 474 milionë dollarë të Roman Abramovich – janë aktualisht të ankoruara në portet turke ose janë nisur së fundmi për atje.
Sipas ekspertëve të vlerësimit të jahteve “VesselsValue”, anijet luksoze të ankoruara tani në Turqi kanë një vlerë kolektive prej 1.1 miliardë dollarësh. Ky vend është shumë popullor tek oligarkët rusë, për arsye që shkojnë përtej klimës së tij me diell dhe vijës së gjatë bregdetare mesdhetare.
Pavarësisht se është anëtare e NATO-s, Turqia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore, duke mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, dhe madje duke organizuar në Stamboll në fundin e muajit marsi negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Sanksionet e vendosura nga vendet evropiane dhe SHBA-ja i nxitën miliarderët të kërkonin tregje alternative për investime. Turqia u pa si një opsion praktik për shkak të pozitës së saj gjeografike, tregjeve dhe sistemit bankar të avancuar, si dhe qëndrimit të saj neutral midis Rusisë dhe Ukrainës”- thotë Zeynep Fıratoğlu, ndërmjetëse në “Space”, një kompani e pasurive të patundshme luksoze me qendër në Stamboll.
Sipas të dhënave nga Instituti Turk i Statistikave, shitjet e shtëpive për blerësit jo turq u rritën me 55 për qind në shkurtin e këtij viti krahasuar me 1 vit më parë. Shitjet për blerësit rusë u rritën me 96 për qind, ndërsa për ukrainasit u rritën me 85 për qind. Bumi i shitjeve vazhdoi edhe në mars, kur të huajt blenë 21 për qind më shumë sesa në shkurt.
“Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, nisëm shohim një rritje të konsiderueshme të kërkesës nga blerësit rusë”- thotë Fıratoğlu. Aspekti më joshës që ka Turqia për rusët është marrja e shpejtë e shtetësisë turke sipas skemës së investimeve. Sipas saj një rus mund të pajiset me një pasaportë turke brenda 3-4 muajsh mjafton që të investojë të paktën 250.000 dollarë në pasuri të paluajtshme ose 500.000 dollarë në obligacione qeveritare, kompani, fonde investimi apo t’i depozitojë në një llogari bankare turke.
Ndërkohë disa vende të tjera në Evropë që ofrojnë gjithashtu të ashtuquajturat skemat e “pasaportës së artë”, mund t’i japin fund këtyre praktikave. Qiproja, që ka qenë prej kohësh një parajsë fiskale shumë e preferuar nga rusët, po i godet fort oligarkët.
“Forbes” zbuloi se 15 miliarderë rusë kanë gjithashtu shtetësi qipriote. Por vendi ishullor u ka hequr tashmë pasaportat 8 oligarkëve, përfshirë aleatin e Putin, Oleg Deripaska. Şerif Nadi Varli, ndërmjetësi kryesor i pasurive të paluajtshme në “Vartur Real Estate” me bazë në Stamboll, thotë se miliarderët rusë synojnë më pak shtëpitë luksoze dhe më shumë investimet e mëdha që mund t’u sjellin atyre fitime, si dhe një pasaportë turke.
Varli u kontaktua së fundmi nga një klient që përfaqësonte një blerës rus, i cili synon të shpenzojë 100 milionë dollarë për një hotel në bregdetin mesdhetar të Turqisë. “Hotelet që ne u ofrojmë ndodhen në bregdet, nga Antalia në Bodrum. Të gjithë klientët rusë po përpiqen që të marrin nënshtetësinë turke përmes investimeve”- thotë ai.
Qytetet bregdetare si Bodrum, Fethiye dhe Marmaris janë destinacionet më të mundshme për oligarkët rusë që kërkojnë të investojnë në pasuri të paluajtshme turke. Abramovich, oligarku i profilit më të lartë që i ka ankoruar jahtet në Turqi, u pa në bisedimet e paqes në Stamboll më 29 mars.
Ai ka një histori të gjatë biznesi në këtë vend. Nadi Varli tha për “Forbes” se kompania e tij i shiti 4 apartamente në Bodrum anëtarëve të familjes Abramovich në vitin 2007, por është e paqartë nëse ata i zotërojnë ende ato. Përtej investimeve në pasuri të paluajtshme, rusët kanë hapur në Turqi edhe kompani.
Vetëm në mars ata hapën 64 kompani, dhe shifra pritet të rritet sapo të publikohen të dhënat për prillin, shprehet Eray Sayin, bashkëpunëtor në studion ligjore me bazë në Stamboll, “Sayin Law& Consulting”. Për të hapur një kompani në Turqi duhen vetëm 5 ditë dhe procesi kushton vetëm 3.400 dollarë.
“Pasi u vendosën sanksionet ndaj Rusisë, ka pasur një rritje te madhe të numri të kompanive të themeluara nga qytetarët rusë në Turqi”- thotë Sayin. Vetëm gjatë 25 ditëve të fundit, studioja e tij ka marrë 25 kërkesa nga klientët rusë që kërkojnë të hapin një kompani në Turqi.
Shumica e këtyre kompanive janë krijuar me synim investimin në pasuri të paluajtshme.
Por disa janë të interesuara edhe mbi industrinë e energjisë, veçanërisht tek burimet e rinovueshme por edhe tek nafta dhe gazi. Sayin thotë se në vend ndodhen të paktën disa oligarkë dhe miliarderë rusë që po krijojnë kompanitë e tyre, por është e paqartë se sa është numri i tyre.
Në rast se sanksionet perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë vazhdojnë për muaj të tërë, ai pret që kompanitë ruse në industri të tjera – përfshirë plehrat kimike, një nga eksportet kryesore të Rusisë – të ndërtojnë fabrika dhe të investojnë qindra miliona dollarë në Turqi.
“Ka shumë investitorë nga industria e energjisë, por në këtë fazë ata po bëjnë vetëm investime të vogla, pasi gjithçka është e pasigurt. Numri i tyre me siguri që do të rritet. Por bankat turke janë të kujdesshme që të mos bien në kundërshtim me sanksionet, dhe kërkojnë dokumente që vërtetojnë se individi apo kompania ruse që hap një llogari bankare nuk është nën sanksione”- shton ai.
Ndërkaq, kërkesa e lartë për shtetësinë turke përmes investime, mund ta rrisë gjithashtu koston e skemës. Qeveria turke po planifikon që ta rrisë pragun minimal të investimit në pasuri të paluajtshme në 400.000 nga 250.000 dollarë që është aktualisht.
Turqia dhe Rusia kanë lidhje të thella ekonomike midis tyre, që shkojnë përtej lidhjeve oligarke. Turqia është tregu i pestë më i madh i eksporteve ruse, dhe Rusia tregu i dhjetë
më i madh për eksportet turke. Vladimir Putin dhe presidenti turk Erdogan janë afruar më shumë gjatë viteve të fundit, pas një periudhe marrëdhëniesh të vështira, kur të dy fuqitë mbështetën anët e kundërta në Luftën civile Siriane.
Të dy kanë mbajtur kontakte gjatë gjithë luftës në Ukrainë. Telefonata e fundit mes dy liderëve ishte më 26 prill. Për sa kohë që sanksionet perëndimore janë në fuqi dhe Turqia refuzon të vendosë ndonjë prej tyre, oligarkët rusë pritet të vazhdojnë të investojnë në vend. Kjo do të jetë më e lehtë me një pasaportë turke në dorë dhe një kompani të regjistruar në vend.
“Tani për tani, ne presim që rusët të marrin nënshtetësinë turke duke blerë një pronë në Turqi, që të kenë një alternativë ndaj pasaportës së tyre ekzistuese ruse. Në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, ne presim që miliarderë rusë ta zhvendosin biznesin dhe pasurinë e tyre në Stamboll, dhe t’i sjellin familjet e tyre të jetojnë ose në Turqi ose në vende të tjera evropiane”- thotë Fıratoğlu.
(Kosova Sot Online)