Publikohet aktgjykimi i plotë kundër Gucatit dhe Haradinajt

  • E. /
  • 18 May 2022 - 11:46
Publikohet aktgjykimi i plotë kundër Gucatit dhe Haradinajt

Zyra për media e Dhomave të Specializuara përmes një komunikate për media kanë lëshuar Aktgjykimin e plotë dënues për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Ish-udhëheqësit e OVL-UÇK-së janë dënuar sot me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Ndryshe, në aktakuzën ndaj Gucatit e Haradinaj, parashtrohet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë  të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.

(Kosova Sot Online)