Nuk u realizua në institucione, tash protestohet për tërheqjen e parave nga Trusti

  • E /
  • 24 May 2022 - 11:49
Nuk u realizua në institucione, tash protestohet për tërheqjen e parave nga Trusti

Qytetarët që po kërkojnë tërheqjen prej 30% të Trustit kanë paralajmëruar protestë për të enjten meqë kjo kërkesë nuk u realizua në institucione.

Në një grup në Facebook, “Pro tërheqjes 30% të Trustit”, i cili përbëhet nga mbi 26 mijë anëtarë, thirrja u bë që protesta të mbahet të enjten nga ora 12:00 para Kuvendit të Kosovës.

Organizatorët e protestës iu kanë bërë thirrje edhe bizneseve që të protestojnë dhe madje të lirojnë punëtorët për të dalë në rrugë dhe që atyre t’u mundësohet transporti. 

“Të nderuar anëtarë, në cilësinë e organizatorëve të PROTESTËS “PRO TËRHQJES 30% TË TRUSTIT”!  Sot i ftojmë të gjitha bizneset nga mbarë Kosova që ta mbështesin PROTESTËN sepse pas qytetarëve, bizneset do të jenë përfitues nga tërheqja e mjeteve nga Trusti. Ftojmë bizneset që të ju japin pushim punëtorëve për të enjten në ora 12:00 dhe të organizojnë transportin e protestuesve”, ka shkruar në këtë grup publik Adnan Jashari.

Kësaj thirrje i është bashkuar edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili së fundi ishte më i zëshmi për këtë çështje.

“Të enjten protestohet për Trustin, qytetarët kërkojnë tërheqjen deri në 30%”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, duke e shpërndarë thirrjen për protestë.

Haxhiu iu ka bërë thirrje edhe kolegëve të tij deputetë që të votojnë pro tërheqjes së parave të Trustit, duke thënë se kjo është një kërkesë e qytetarëve.

(Kosova Sot Online)