Pretendoi se pa një ngjarje që i parapriu tragjedisë në Ferizaj, tash qytetari thotë se ishte aludim i gabuar

  • E /
  • 28 May 2022 - 17:40
Pretendoi se pa një ngjarje që i parapriu tragjedisë në Ferizaj, tash qytetari thotë se ishte aludim i gabuar

Qytetari nga Ferizaj, Agon Zhinipotoku, ka kërkuar falje publike pasi pretendoi se para vrasjes tragjike në këtë qytet kishte parë një ngjarje disa orë më herët të një personi të plagosur që sipas tij mund të ishte dorasi.

Por ai ka thënë se ka gabuar pasi personi që e ka parë është dikush tjetër dhe s’lidhet me vrasjen që ndodhi sot në Ferizaj.

“Kërkimfalje publike. Kërkoj shumë falje për statusin tim, personin e gjakosur që e kam takuar unë për ti dhënë ndihmë, është një i ri tjetër, nuk ka të bëjë me personin e involvuar në ngjarje, e ai më është prezantuar si i therrur, nëse jam lajthitur prej tij, unë doja ta ndihmoja. Unë kam shkruar duke e fajësuar veten pse nuk i ndihmova dje ta dërgoj në emërgjencë, andaj ndjesë për shqetësinin public”, ka shkruar ai në Facebook.

Gazmend Hyseni, 30-vjeçar është vrarë sot në Ferizaj. I dyshuar për vrasje është bashkëmoshatari i tij, Qëndrim Januzi, i cili është vëllai i reperit Buta. Raportohet se viktima dhe i dyshuari për vrasje deri viteve të fundit kanë qenë shokë të ngushtë.

Sipas komunikatës së Policisë, i dyshuari ka refuzuar urdhrat verbal të Policisë, derisa me pistoletë në dorë iu kthehet zyrtarëve policor. Një prej policëve, më pas e ka përdorur armën zyrtare me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit.

“Afër vendit të ngjarjes, një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare,  kanë vërjetur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhëra verbal ” ndal policia”  që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhërat e policisë. I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që, në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njeri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun  e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare , me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit”, ka njoftuar Policia pas vrasjes.

(Kosova Sot Online)