Punëtorja në Fushë Kosovë denoncon shefin e saj në polici, ky arrestohet për sulm se*sual

  • E. /
  • 31 May 2022 - 10:01
Punëtorja në Fushë Kosovë denoncon shefin e saj në polici, ky arrestohet për sulm se*sual

Një rast “sulmi seksual” është hapur dje në Policinë e Kosovës. Një punëtore ka raportuar në polici se është ngacmuar seksualisht nga shefi i saj në Fushë Kosovë, lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, teksa ky rast është përfshirë edhe në raportin 24-orësh të PK-së.

E pyetur se cili ka qenë vendimi i prokurorit për personin i cili dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht punëtoren e tij, zëdhënësja Ulaj tha se i njëjti është ndaluar për shkak të veprës penale “Sulmi seksual”.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se më 30 maj 2022, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një (1) person i dyshuar, për shkak të veprës penale “Sulmi seksual”, nga neni 229 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprimet procedurale-ligjore, derisa, prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore për t’i sqaruar të gjitha rrethanat e rastit”, tha Ulaj.

Ndërsa, për rastin në fjalë në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se ka ndodhur dje rreth orës 16:15.

“SULM SEKSUAL /Fushë Kosovë 30.05.2022 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht viktimën femër kosovare. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”.

(Kosova Sot Online)